“Kemi disa mangësi në ekip”, flet Martini: Do jemi gati për javën tjetër, në merkato jemi të vonuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2020 | 21:49

“Kemi disa mangësi në ekip”, flet Martini: Do jemi gati për javën tjetër, në merkato jemi të vonuar

Trajneri i Teutës, Edi Martini, pas ndeshjes miqësore me Skënderbeun për “Panorama Sport” u shpreh i bindur se pavarësisht rezultatit, gjërat shkojnë mirë te durrsakët. “Jemi në javën e fundit dhe tashmë kemi hyrë në ciklin e kampionatit. Normalisht që ngarkesa ka qenë e madhe, por gjithsesi loja sot (dje) më lë të kuptoj që kemi disa mangësi, por më mirë që ndodhi sot, që t’i shohim mangësitë tona. Sidoqoftë, do të jemi gati për javën tjetër”, deklaroi trajneri Edi Martini.ed-martini

Fokusi i durrsakëve është sfida me Laçin, takimi i parë i Teutës për 2020-ën. “Unë Teutën do ta shoh ndeshje për ndeshje. Tashmë vjen Laçi dhe kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë. I dimë kapacitetet tona e të Laçit dhe do të bëjmë të pamundurën që të fitojmë”, u shpreh Martini.

Shkodrani i durrsakëve pohoi se gjërat do të ndryshojnë, por skuadrës i duhen lojtarë për pjesën e mbetur të sezonit. Ai pohoi se klubi do të hyjë në merkato për të marrë futbollistë në pikat ku ka probleme. “Patjetër do të shohim për merkato.

Kemi dhe dy-tri pika që ne presim nga dita në ditë me ardhë lojtarë. Normalisht që jemi pak vonë për ardhjen e tyre, por gjithsesi janë pika të rëndësishme që do të na shërbejnë”, tha Martini.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"