“Kemi besim te njëri-tjetri, akuzat e Agueros ndaj meje…”, Lautaro: Një finale, por Argjentina nuk ka presion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2022 | 14:25

“Kemi besim te njëri-tjetri, akuzat e Agueros ndaj meje…”, Lautaro: Një finale, por Argjentina nuk ka presion

Lautaro Martinez është golashënuesi më i mirë i epokës Skaloni. Sulmuesi i Interit ka lulëzuar që prej emërimit të 44-vjeçarit në krye të kombëtares, por nuk ia doli dot ta gjente rrugën e rrjetës për të shmangur humbjen ndaj Arabisë Saudite, ose më saktë nuk ishte i rregullt në gjetjen e saj, pasi dy golat e shënuar ishin në pozicion jashtë loje.

LAUTARO

Përsëri në “Lusail”, këtë herë Lautaro me shokë do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv në atë që vetë lojtari e konsideron një finale.

“Do të jetë një finale për ne. Është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë dhe duam të nxjerrim të gjithë atë që kemi përbrenda.

Nuk kemi presion, sepse kemi shumë besim te njëritjetri, te trajneri, te stafi dhe mendojmë se do ta përfaqësojmë Argjentinën si duhet.

Karakteristika jonë kryesore është qarkullimi dhe duam edhe ta shijojmë, ashtu si kemi thënë gjithmonë. Jemi mirë fizikisht, Meksikën e kemi analizuar dhe e dimë që nëse do të mbrojmë mirë dhe të shfrytëzojmë kundërsulmet, mund të marrim rezultate pozitive si ato të viteve të fundit”, e nisi komentin numri 22 i Argjentinës.

VAR DHE AGUERO – Ndryshe nga trajneri i tij, që nuk zgjodhi të ndalej te ky detaj, 25-vjeçari nuk e shmangu, përkundrazi zgjodhi t’i quante të padrejta vendimet e arbitrave, edhe pse evitoi një tjetër polemikë, atë me Serxho Agueron.

“Të gjithëve na dhembi shumë ajo humbje me Arabinë, pasi dëshironim shumë ta nisnim duke fituar.

Për shumë prej nesh ishte ndeshja jonë e parë në këtë kompeticion dhe në atë moment të kujtohet gjithë karriera jote kur zbret në fushë, të paktën deri sa arbitri vërshëllen për të filluar dhe fokusohesh te ndeshja.

Humbëm për gabime tonat, por ngeli pas, nuk ka kohë për të humbur në Botëror.

Pozicionet jashtë loje? Më habit akoma që vazhdojnë të bëjnë gabime në këtë drejtim edhe me teknologjinë.

Duhet të ketë njerëz që merren me këtë punë, nuk ka kuptim të ndodhë, por gjithsesi e kemi lënë pas, nuk do të merrem më me të”, u shpreh sulmuesi duke u ndalur më pas te deklarata e Agueros, që e kishte konsideruar si njeriun jo të duhur për ndeshjen ndaj sauditëve, duke qenë se u gjend shpesh më i avancuar në fushë.

“Ai ishte një opinion i Agueros. Ndoshta na mungoi shpejtësia në qarkullimin e topit dhe ai hapi i fundit.

Mund të kishim bërë shumë më shumë në pjesën e parë, por duhet të mësojmë nga gabimet tona”, përfundoi Lautaro.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"