“Kemi 22 lojtarë që konkurrojnë për titullarë”, Bicaj: Flamurtari, gati për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2022 | 20:45

“Kemi 22 lojtarë që konkurrojnë për titullarë”, Bicaj: Flamurtari, gati për elitën

Te Flamurtari konkurrojnë 22 lojtarë për një vend titullari. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi me eksperiencë, Ditmar Bicaj, thekson se me ndërhyrjet në merkato është rritur ndjeshëm konkurrenca në skuadër. Mbrojtësi lezhjan është i bindur se kjo skuadër do ta realizojë objektivin final, ngjitjen në Superiore.

Bicaj

Ai pohon se për shkak të ngarkesave të larta ekipi nuk është në gjendjen e tij më të mirë, por reagimi është pozitiv në dy ndeshjet miqësore të luajtura me Turbinën dhe Apoloninë. Bicaj u takua në Fier edhe me mesfushorin, Nuredin Orelesi, si dy kampionë me Skënderbeun, ndërsa e cilëson nigerianin si lojtarin më të mirë të huaj që ka ardhur në Shqipëri.

Bicaj, si reagoi Flamurtari në ndeshjen e fundit miqësore me Apoloninë?
Pjesa e parë ishte jo e mirë për ne. Kjo sepse edhe kundërshtari ushtronte presion shumë lartë. Ndërsa pjesa e dytë ishte perfekte. Në 45 minutat e dyta, zëvendësimet që u kryhen i dhanë shumë freski ekipit. Pastaj, kjo bëri që të kthenim edhe rezultatin.

Në optikën tuaj si një lojtar me shumë eksperiencë, është kjo skuadra e duhur për t’u ngjitur në Superiore?
Mendoj që momentalisht po punojmë me ngarkesa shumë të larta dhe ekipi ende nuk është në gjendjen e tij 100%, siç duhet të jetë. Janë 22 lojtarë që pretendojnë për një fanellë titullari.

A ka nevojë ekipi për afrime të tjera, nëse po, në cilat reparte?
Afrimet i di më mirë presidenti bashkë me stafin teknik, por unë do doja të theksoja, që rivaliteti brenda grupit është i madh. Të gjithë po djersijmë për një fanellë titullari. Pra, ka shumë konkurrencë në skuadër. Kemi elementë cilësorë dhe me shumë eksperiencë. Të gjithë janë të motivuar për të realizuar objektivin madhor që ka klubi, rikthimin në elitë.

Në fundjavën e shkuar u ndeshët me Apoloninë, që sezonin e ri do të jetë një rivale juaja. Si e vlerëson kundërshtarin?
Apolonia më pëlqeu shumë. Me ardhjen e trajnerit Klevis Dalipi janë përmirësuar së tepërmi. Është një ekip i vendosur shumë mirë në fushë. Një ekip agresiv në momente të veçanta, por mbi të gjitha një skuadër që luan gjithmonë me topin poshtë.

Ditmar Bicaj dhe Nuredin Orelesi pas miqësores mes Apolonisë dhe Flamurtarit

Ditmar Bicaj dhe Nuredin Orelesi pas miqësores mes Apolonisë dhe Flamurtarit

Në Fier gjetët edhe Orelesin, shok skuadre te Skënderbeu. Si ishte takimi pas kaq vitesh?
Po, takova Orelesin dhe di që do jetë pjesë e Apolonisë për sezonin e ri. Ai është një lojtar që të gjithë e njohin. Është një ndër futbollistët më të mirë të huaj që kanë luajtur në Shqipëri. Por, mbi të gjitha është një njeri i shkëlqyer dhe personalisht kam shumë miqësi. I uroj suksese në aventurën e re me ekipin e Apolonisë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"