“Kemi 20 lojtarë thuajse në një nivel”, Renato Malota: Egnatia, gati për ta nisur vitin me fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2023 | 22:43

“Kemi 20 lojtarë thuajse në një nivel”, Renato Malota: Egnatia, gati për ta nisur vitin me fitore

Tek Egnatia, Renato Malota është aktualisht një nga shtyllat e përvojës. Qendërmbrojtësit potent i është dhënë së fundmi edhe shiriti i kapitenit.

malota

Vlerësim special ky që e motivon shumë më tepër. Realitetin në kushtet edhe të disa ndryshimeve që janë bërë në merkaton e këtij muaji të parë të vitit 2023, lezhjani e tregon plot maturi e logjikë në përgjigjet që jep posaçërisht për “Panorama Sport”. Kapiteni i Egnatias beson te fitorja nesër ndaj Erzenit në Rrogozhinë.

Renato, si është situata tek Egnatia para sfidës me Erzenin?

Së pari, dua t’u uroj të gjithëve një vit të mbarë, veçanërisht për futbolldashësit e Rrogozhinës. Situata tek Egnatia është e qetë dhe mjaft pozitive. Pavarësisht festave, ne nuk i kemi ndërprerë në asnjë moment stërvitjet. Kemi disa mungesa, por mendoj se ekipi ka shumë kualitete dhe ka treguar se të gjithë lojtarët janë njëlloj. Gjatë periudhës së parë të kampionatit u pa se nuk janë ndier mungesat.

Jeni ndër futbollistët më me përvojë në ekip. Diçka për formën tuaj në 15 javët e para dhe pritshmëritë për periudhën e dytë?

Humba vetëm ndeshjen e parë për shkak të COVID-it, por në gjithë karrierën time jam munduar të jem një lojtar stabël dhe korrekt. Mendoj se këtë po e tregoj edhe tek Egnatia. Gjykoj se janë tri arsyet pse një futbollist ka stabilitet dhe këtë gjatësi kohore në sport. E para, regjimi, e dyta, ushqimi dhe e treta, stërvitshmëria. Më falni për modestinë, por këto unë mundohem t’i kryej e përballoj më së miri.

renato malota

Në merkaton e janarit 2023, Egnatia ka pasur më shumë largime sesa afrime, por mbrojtja nuk është prekur. Një konstatim juaji?

Kjo është punë e stafit teknik dhe jo jona. Ne kemi për detyrë të bëjmë më të mirën në fushën e lojës. Gjatë pjesës së parë të kampionatit kemi bërë mirë deri diku. Tani le të shohim pjesën e mbetur se si do të shkojnë gjërat. Kam besim që po bëhet një punë e mirë në merkato dhe mendoj se aty ku ekipi ka më shumë nevojë, po bëhen ndërhyrje. Uroj të na shkojë çdo gjë për mirë, sepse po kryhen përditë e më shumë investime të mëdha në këtë ekip.

Do të mungojë në përballjen me Erzenin ganezi Agbekpornu, si ndiheni me lojtarët e tjerë të mbrojtjes?

Agbekpornu është një lojtar me cilësi të mira dhe me rikthimin e tij në skuadër na ka ndihmuar shumë. Egnatia ka të paktën 20 lojtarë që janë thuajse në të njëjtin nivel. Kështu që mendoj dhe uroj se mungesa e tij ndaj Erzenit nuk do të ndihet. Sa i përket faktit se kush do ta zëvendësojë këtë e di stafi teknik.

Përballë Erzenit, një skuadër me ambicie, sfida e nesërme duket jo dhe aq e lehtë. Çfarë mund të bëhet mirë nga Egnatia për të siguruar fitoren?

Kemi treguar që me ekipet e vogla në letër, kemi humbur pikët, ndërsa me të mëdhatë ka qenë e kundërta. Do të jetë ndaj Erzenit një ndeshje kyçe, por edhe e vështirë për ne. Shijakasit deri tani kanë bërë një kampionat të mirë dhe e dimë se çfarë ndeshjeje na pret. Do të mundohemi të bëjmë lojën tonë dhe t’i godasim në pikat më të dobëta.

Një apel për tifozët, të cilët në fakt me këto zhvillime të fundit nga merkatoja, duan të shohin progres të ekipit dhe të festojnë fitoren e radhës?

Tifozët e mrekullueshëm të Rrogozhinës ju them se do të shohin progres nga ndeshja në ndeshje dhe një ekip që do t’i kënaqë me futboll dhe me rezultate. Besoj se këtë gjë e kemi bërë mirë në 15 javët e para do të mundohemi ta bëjmë edhe më mirë në periudhën e dytë të këtij sezoni.

FATMIR EFICA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"