“Kavani me Lukakun, më mirë se me Nejmarin e Mbapenë”, ish-futbollisti i PSG-së flet “pa doreza”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2020 | 23:56

“Kavani me Lukakun, më mirë se me Nejmarin e Mbapenë”, ish-futbollisti i PSG-së flet “pa doreza”

Vikash Doraso, si një ish-lojtar i PSG-së (sot politikan francez), e njeh mirë lojën e “Matador”. Dhe gjatë një interviste për “La Gazzetta dello Sport” e kanë pyetur se çfarë mendimi ka ruajtur për sulmuesin që mund të veshë fanellën e Interit sezonin e ardhshëm. 

Si ka ndryshuar loja e Kavanit në shtatë sezone?

Nuk ka ndryshuar. Cilësitë kanë mbetur të paprekura. Është një “pykë” me nuhatjen e golit, me fizik shumë të mirë, edhe pse nuk merr pjesë në ndërtimin e aksionit. Me Ibrahimoviçin u sakrifikua duke luajtur në të majtë, pavarësisht se kishte ardhur si kryegolashënuesi i Serisë A.

Pas largimit të Zlatanit, mori sërish qendrën e sulmit duke shtuar mesataren e golave. Në fund, i është dashur t’i bëjë hapësirë Nejmarit dhe Mbapesë me të cilët nuk ka një raport të mirë në fushë. Kavani nuk është një lojtar që befason për finesë teknike, por di se çfarë duhet bërë për të shënuar.

Cilat janë pikat e forta dhe ku ka patur rënie?

Koha kalon për të gjithë, por Kavani vazhdon të japë shumë në fazën mbrojtëse. Në ndërtimin e lojës mendoj se Ikardi është më në sintoni me Nejmarin e Mbapenë. Di të krijojë rastet e tij.

Shkon si partner i Lukakut? 

Po, mendoj madje më shumë se me Nejmarin e Mbapenë. Kavani mund të plotësojë lojën e belgut, duke krijuar hapësira përreth tij. Konte do të dinte ta shfrytëzonte.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"