Kavani i hap dyert Realit, por vlen 100 milionë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2018 | 19:01

Kavani i hap dyert Realit, por vlen 100 milionë euro

Kilië Mbape dhe Nejmar janë ëndrra. Për momentin nuk mund të realizohen. Por, Realit të Madridit i duhet patjetër një sulmues për të zëvendësuar golat që shënonte Kristiano Ronaldo. Emri i ri në listë është Edinson Kavani. Ka shënuar 40 gola në 48 ndeshje në sezonin e kaluar dhe 49 gola në 50 ndeshje dy vite më parë. Është sulmuesi uruguaian ai që po bën të ëndërrojnë tifozët madrilenë.

kavani

Sipas gazetës “AS”, lojtari e ka lënë të hapur derën e Realit sepse për të është një ëndërr të luajë në Madrid, të cilët nuk e ka bërë realitet. Ai do të ishte gati të firmoste një kontratë dy ose trevjeçare për të mbyllur karrierën si “galaktik”.

SITUATA- Kavani është një nga lojtarët më të pëlqyer nga tifozët e PSG-së dhe nga më të respektuarit e presidentit Naser Al Khelaifi. Mbi të gjitha për profesionalitetin që ka treguar dhe efikasitetin si sulmues. Për këtë fakt, Kavani nuk ka pasur kurrë konflikte me klubin dhe me përulësi i ka thënë presidentit që i pëlqen mundësia për të luajtur te Reali. Ndoshta, diçka e tillë mund t’i pëlqejë edhe vetë PSG-së në këto momente, duke qenë se 31-vjeçari uruguaian pati disa mosmarrëveshje me Nejmarin në sezonin e kaluar se kush do të ishte goditësi i penalltive.

kavani

Kavani ka kontratë deri në vitin 2020 me PSG-në dhe këta të fundit ndoshta do të kërkojnë 100 milionë euro për kartonin e sulmuesit. Problemi i vetëm për “galaktikët” është rroga e lojtarit, i cili merr 12 milionë neto dhe 2 të tjera si bonuse në bazë të rezultateve. Por, kjo pengesë është e kalueshme, sepse një transferim i mundshëm i Kavanit te Reali do të sillte edhe kontrata të tjera publicitare për lojtarin dhe sigurisht që rroga e tij nuk do të ishte kaq e lartë. Megjithëse, për një lojtar që të garanton gola nuk është aspak vështirë që t’i garantosh një pagë të kënaqshme.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"