Katër vite nga “droni”, Hysaj kthehet titullar me Napolin në Beograd

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 16:58

Katër vite nga “droni”, Hysaj kthehet titullar me Napolin në Beograd

Duket sikur ka kaluar një jetë, por ndoshta në mendjen e Elseid Hysajt pamjet e tmerrit kur tifozët dhe huliganët serbë vërshuan në fushën e lojës, mund të jenë të freskëta. Sigurisht që do t’i jenë rikujtuar teksa ka hipur në avion me skuadrën e Napolit për të udhëtuar drejt Beogradit për ndeshjen e sotme në Ligën e Kampionëve kundër Cervenës.

SERBIA

Stadiumi nuk është i njëjti, por qyteti po. Luhet në Beograd. Dhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare e di shumë mirë çfarë atmosfere krijojnë tifozët aty. Ai ishte titullar në duelin e 14 tetorit në vitin 2014 kur Shqipëria, e drejtuar nga De Biazi, luante eliminatoret e Europianit. Ndeshja u ndërpre pasi droni që mbante simbolet e Shqipërisë së madhe tërboi tifozët serbë dhe lojtarët gjithashtu.

Pas kaosit në fushën e lojës dhe frikës për jetën, skuadra shqiptare u rikthye direkt në Tiranë dhe pas disa betejash në UEFA dhe KAS, Shqipëria mori fitoren në tavolinë dhe më vonë arriti kualifikimin në Europian. Elseid Hysaj e di shumë mirë që këtë herë situata është ndryshe dhe do të jetë i përqendruar për të bërë më të mirën në krahun e djathtë të mbrojtjes së Napolit.

ANÇELOTI- Napoli ka një grup të vështirë pasi duhet t’i bëjë llogaritë me Liverpulin dhe PSGnë për të kaluar në raundin tjetër. Por trajneri Ançeloti thotë se skuadra e tij do t’i marrë ndeshjet me radhë. “Ne do të bëjmë detyrën tonë dhe pastaj do të shohim ku mund të arrijmë. Na pret një ndeshje e vështirë nesër (sot) dhe rivali është i karikuar për të bërë mirë. Por ne jemi gati”, ka thënë Ançeloti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"