Katër ndeshje pa humbje, në Fier duan “kokën” e Maliqit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2022 | 22:03

Katër ndeshje pa humbje, në Fier duan “kokën” e Maliqit

Në Fier nuk e njohin pushimin. Përgatitjet janë vijuar me ritëm të lartë edhe të enjten. Përballja me Maliqin po afron dhe Juri Kanarsa po mundohet që të mbajë të karikuar grupin e të korrigjojë ato defekte që mund të jenë shfaqur së fundi.

Apolonia

Ai punon fort që skuadra të mos bëjë më hapa pas, por të kenë vazhdimësi. Fierakët kanë katër ndeshje pa humbje, mes 1 barazimi dhe tri fitoresh.

Një bilanc pozitiv, që ka ndikuar në ngjitjen e bardhejeshilëve në tabelën e renditjes. Dueli i radhës duket i kalueshëm dhe fierakët shihen favorit, e megjithatë trajneri nuk i zë fort besë. Italiani ka kërkuar nga lojtarët e tij të njëjtin angazhim si në ndeshjet e fundit. Ai u është drejtuar atyre duke u thënë se nuk mund të nënvlerësojmë asnjë ekip, pasi një gabim në këtë fazë të kampionatit është i pakorrigjueshëm.

Fatmirësisht grupi është i plotë, nuk ka mungesa dhe as probleme fizike dhe kjo i jep luksin stafit teknik që të zgjedhë më të mirët për formacionin e javës së 18-të. Synimi i vetëm i Apolonisë është marshimi drejt vendeve që të mbajnë në lojë për elitë. Edhe pse diferencat janë ende të mëdha, në ekip nuk kanë në plan që të dorëzohen. Ata do të luftojnë deri në frymën e fundit për të qenë në garë për misionin madhor: “Abissnet Superiore”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"