“Katër kundërshtarë janë shumë të fortë, luajmë për titullin”, Hoxhallari “sms” Egbosë: Luaj më mirë në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2020 | 21:45

“Katër kundërshtarë janë shumë të fortë, luajmë për titullin”, Hoxhallari “sms” Egbosë: Luaj më mirë në…

Erjon Hoxhallari anon majtas. Sigurisht jo nga e majta politike, por nga e majta e fushës. Ai është pozicioni i tij natyral në futboll. Në një intervistë për “Panorama Sport”, një nga kapitenët e skuadrës flet për sezonin. Pranon se me këtë bojkot nuk është e thjeshtë, por kampionati shqiptar është rritur dhe këtë e treguan edhe ekipet shqiptare me kualifikimin në Europë. Në fund, ai thotë se bardheblutë mund të nisin një cikël, nëse ia dalin të fitojnë titullin e dytë radhazi në Shqipëri.

erion hoxhallari

Tirana më në fund e nis si skuadra kampione dhe për t’u mundur pas shumë vitesh vuajtje…

Siç e thatë edhe ju, ne nisemi si kampionë, ama duhet shumë punë. Duhet të punojmë goxha që ta ruajmë këtë vend në renditje. Të jemi gjithmonë të parët dhe ndoshta në fund të kampionatit të shpallemi kampionë të Shqipërisë për herë të dytë. Do të ishte diçka e madhe.

Jeni së bashku me Ilionin një nga dy lojtarët që e keni veshur më shumë këtë fanellë. Si e shihni këtë Tiranë të re?

Ekipi është formuar me lojtarë të rinj. Janë disa prej tyre. Jemi edhe ne lojtarët e eksperiencës që kemi vite në kampionatin shqiptar. Jemi pak a shumë ata të sezonit të shkuar. Kanë ardhur edhe lojtarë të mirë në verë, të cilët duan kohën e tyre që të përshtaten. Duhet të kuptojnë filozofinë e lojës dhe se cila është Tirana. Ama shpresoj që të gjithë bashkë të bëjmë punën dhe të jemi në të njëjtin nivel si vitin e shkuar. Sigurisht, në fund të ngremë trofeun dhe, pse jo, të nisim një cikël me shumë trofe. Keni kaluar goxha shqetësime këtë sezon.

Keni sakrifikuar, keni humbur edhe dy ndeshje në Europë. Ka ndodhur pothuajse gjithçka?

Është e vërtetë. Këtë verë kam pasur disa shqetësime. Pas atij dëmtimi që kalova, tani po e marr veten nga ndeshja në ndeshje, nga dita në ditë. Sakrificë? Nuk mund ta quaj sakrificë, sepse kemi luajtur një sezon të tërë për ato ndeshje në Europë. Ishte dëshira e madhe që unë të luaja një ndeshje dhe të sakrifikoja për Tiranën. Është normale për një lojtar që ta bëjë një gjë të tillë.

Ju e cekët më sipër, por besoj se niseni si skuadra që kërkoni të dilni kampione?

Tirana do ta luajë kampionatin për titull. Sa herë fillon kampionati, ky është objektivi ynë. Të fitojmë titullin kampion. Gjithsesi, për më tepër duhet ta zbulojmë veten gjatë rrugës dhe se çfarë do të bëjmë në fushën e lojës ne dhe kundërshtarët.

erion hoxhallari

Meqë e prekët çështjen e kundërshtarëve, cilët jua rrezikojnë titullin?

Ka shumë kundërshtarë këtë sezon. Janë bërë skuadra të mira. Është Kukësi, Laçi, Teuta. Të tria do të jenë skuadra të forta, pa lënë këtu pas edhe Partizanin. Edhe pse ka pasur probleme, do të jetë ekip konkurrues.

Pa futboll u bënë disa muaj. Ju bezdis ky bojkot i stërzgjatur i kampionatit?

Sigurisht që na shqetëson. Po zgjat shumë dhe nuk e kishim menduar. Na duket sikur po ndodh ajo pandemia që na la dy-tre muaj pa futboll. Shpresoj që të gjendet një zgjidhje sa më shpejt që nisim futbollin. Pa të nuk rrihet.

Më mirë të luani në qendër apo në krah të majtë?

Për këtë duhet të pyesni trajnerin Emanuel Egbo. Ai vendos.

Sigurisht që ai vendos, po ju ku doni?

Unë do të zbatoj vendimet e trajnerit. Do të luaj ku të më urdhërojë ai. Gjithsesi, unë jam mbrojtës i majtë dhe atje ndihem më mirë. Ama mund të luaj në të dyja rolet dhe nuk përbën asnjë problem.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"