Katër javë pa fitore, Teuta shpreson te zhbllokimi i Nikaçit dhe Khalidit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 0:02

Katër javë pa fitore, Teuta shpreson te zhbllokimi i Nikaçit dhe Khalidit

Teuta ka katër javë që nuk fiton, ndërsa durrsakët në javët e fundit kanë ndërlikuar pozitat e tyre, duke iu larguar disi kreut të klasifikimit. 

tEUTA

Pasi kanë qëndruar dy ditë pushim, durrsakët kanë zbritur dje në fushën e stërvitjes. Trajneri Bledi Shkëmbi fillimisht ka folur para seancës dhe ka kërkuar nga skuadra më shumë përqendrim te ndeshja e radhës, ajo me Vllazninë në Shkodër. Sipas Shkëmbit, duhet patjetër që skuadra të rikthehet te tri pikët.

PËRGATIJET

Shirat që kanë filluar në mbarë vendin nuk i kanë ndalur këto ditë “djemtë e detit” që të stërviten për takimin e javës së ardhshme ndaj Vllaznisë. Ekipi i Teutës ka vijuar të stërvitet me intensitet gjatë këtyre ditëve, teksa ka shfrytëzuar në mënyrën e duhur ndërprerjen e kampionatit. Prej ditësh, durrsakët kanë filluar të mendojnë për sfidën e fundjavës me Vllazninë. Një ndeshje e rëndësishme, por “djemtë e detit” do të synojnë me patjetër të dalin me pikë të plota nga kjo ndeshje.

Trajneri Shkëmbi duket se i ka të qarta idetë në mendjen e tij për formacionin që do të hedhë në fushë dhe e rëndësishme është që tashmë kontingjenti në dispozicion të stafit teknik është më i madh dhe po ashtu edhe mundësitë për të ndërtuar 11-shen. Skuadra dje ka zhvilluar dy seancat e radhës stërvitore me intensitet të shtuar, ushtrime force në palestër dhe pjesën tekniko-taktike në terren.

Vetëm Çyrbja vazhdon terapinë intensive të rikuperimit dhe punën në terren e kompenson në pishinë. Të gjithë futbollistët e tjerë me profesionalizëm maksimal u përgjigjen kërkesave të stafit teknik, të bindur se puna e tashme do të jetë “bagazh” për gjithë pjesën e mbetur të gjysmës së sezonit ku skuadra do të kërkojë ta mbyllë 2019- ën në tri vendet e para.

MUNGESAT 

Trajneri Bledi Shkëmbi edhe me shkodranët nuk do ta ketë skuadrën e plotë, pasi nga sa dihet, nuk do të jenë për lojë Rustem Hoxha që është i pezulluar. Ashtu si dhe Çyrbja që është në rikuperim e sipër dhe duket se e ka kaluar më të vështirën dhe pritet që të jetë gati për trajnerin Shkëmbi. Në Durrës, organika është e pasur dhe trajneri Shkëmbi nuk do ta ketë problem që të ndërtojë një 11- she fituesen në sfidën e radhës me shkodranët. Lojtarët kanë zbritur në fushë për të vijuar përgatitjet anti-Vllaznia, sipas programit të trajnerit Bledi Shkëmbi.

“Djemtë e detit” e kanë zhvilluar seancën e djeshme në “Olympic Park” dhe duhet thënë se ritmi ka qenë i lartë. Deri në fundjave do të vazhdohet me dy seancë në ditë. Brenda kësaj kohe, pritet që futbollistët të jenë në gjendje optimale për të vijuar me rezultate pozitive. Pas ushtrimeve aerobike, lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike. Në fundin e seancës ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre, ku nuk munguan golat.

Në Durrës do të synohen 3 pikët, pasi këtë sezon kanë pretendime madhore për kreun e Superiores, ndërsa po punohet shumë në fazën sulmuese ku Khalid dhe Nikaç pritet që të shpërthejnë për të ndihmuar dhe për t’u dhënë më siguri dhe qetësi durrsakëve në ofensivë. “Djemtë e detit” do të synojnë fitoren, për më tepër që kanë katër javë që nuk e njohin shijen e suksesit. Ndërkohë, durrsakët nuk do të zhvillojnë asnjë ndeshje miqësore gjatë këtyre dy javëve pauzë të Superiores.

Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"