Katër humbje radhazi në kampionat, Laçi ka dilema për trajnerin Dejan Vukiçeviç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 11:55

Katër humbje radhazi në kampionat, Laçi ka dilema për trajnerin Dejan Vukiçeviç

Katër humbje radhazi në startin e kampionatit në elitën e futbollit shqiptar nuk ndodhin te Laçi thuajse dy dekada më parë, atëherë kur kurbinasit e sapongjitur zbrisnin direkt pas një rekordi disfatash të njëpasnjëshme.

Trajneri i Laçit, Vukiçeviç logo

Sfida e fundit me Erzenin në stadiumin “Niko Dovana” vulosi ecurinë jo të mirë dhe vendosi në pikëpyetje të madhe mbi vazhdimësinë në krye të skuadrës së trajnerit malazez, Dejan Vukiçeviç.

Megjithatë, burime në klub i treguan dje gazetës se drejtuesit nuk kanë vendosur ende asgjë për një largim të mundshëm të trajnerit.

Raporti i mirë që ka presidenti Pashk Laska me malazezin Vukiçeviç ka bërë që palët të reflektojnë në këtë periudhë pauze të kampionatit, përpara se të marrin një vendim të nxituar.

Nuk përjashtohet mundësia që Laska t’i japë një shans të fundit trajnerit në ndeshjen e radhës që do të ketë në kampionat ndaj Kukësit.

Por, përpara këtij takimi, kurbinasit do të jenë të angazhuar në Kupën e Shqipërisë, teksa do të luajnë kundër Devollit më 28 shtator.

Ndeshja e parë është në transfertë dhe duke ditur synimet që kanë kurbinasit, çështja e kualifikimit do të kërkohet të zgjidhet që në Devoll.

Gjithsesi, së pari klubi do të marrë një vendim, jo vetëm për të ardhmen e trajnerit, por ndoshta edhe për masa ndaj lojtarëve për rezultatet e dobëta në këto pesë javë të para të kampionatit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"