Katër afrime, Kristidhi tregon merkaton e Luftëtarit/ Gjirokastritët bëhen të frikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 23:24

Katër afrime, Kristidhi tregon merkaton e Luftëtarit/ Gjirokastritët bëhen të frikshëm

Tek AF Luftëtari vijojnë përgatitjet intensive për transfertën me Tepelenën, që do të luhet të dielën në orën 13:00 në stadiumin “Sabaudin Shehu”.

LUFTETARI

Drejtuesit bluzinj nuk lënë në harresë merkaton e janarit dhe është administratori Fotis Kristidhi, që flet për “Panorama Sport” edhe në lidhje me përgatitjet, si dhe rëndësinë e ndeshjes me Tepelenën për skuadrën bluzi.

“Ndoshta jemi ndër skuadrat e vetme të grupit ku bëjmë pjesë, që kemi nisur përgatitjet dimërore më herët se të tjerët. Me këtë dua të them se po punojmë me shumë seriozitet për të arritur objektivin që kemi. Angazhimi i të gjithëve në klub bëhet për vetëm një objektiv, ngjitjen e AF Luftëtarit. Të gjithë lojtarët janë të motivuar për ndeshjen me Tepelenën dhe besimplotë për fitoren e radhës”, ka thënë fillimisht Kristidhi.

PUCI, ZIAJ DHE ÇËSHTJA “BUXHELAJ”

Drejtuesi i klubit gjirokastrit sqaroi për gazetën se është mbyllur marrëveshja me dy lojtarë gjirokastritë që kanë qenë pjesë e Luftëtarit edhe në Kategorinë Superiore. “Stivi Puci dhe Ardit Ziaj janë tashmë pjesë e kontingjentit bluzi për pjesën e mbetur të sezonit”, konfirmoi Kristidhi për mesfushorin dhe sulmuesin, që kanë dalë nga akademia bluzi.

Luftetari Puci Ziaj

Në vijim të prononcimit të tij, administratori sqaroi edhe çështjen e mbrojtësit të djathtë, Xhuljano Buxhelaj, i cili që nga 5 janari është vendosur nën urdhrat e trajnerit Arben Çoni. Kontrata që vlonjati ka me Turbinën mbante peng kalimin te bluzinjtë, por klubet kanë gjetur një zgjidhje tashmë. “Buxhelaj ka një kontratë 2-vjeçare me Turbinën dhe kjo i privon të  drejtën e largimit. Për zgjidhjen e këtij ngërçi kam kontaktuar me drejtuesit e Turbinës dhe pas bisedimeve, kemi gjetur gjuhën e mirëkuptimit, që Buxhelaj të huazohet për një vit te Luftëtari.

Besoj se gjërat po shkojnë për mirë dhe Buxhelaj, ashtu si Puci, Ziaj dhe portieri Vllahu, që rikthehet pas gjashtë muajsh, forcojnë skuadrën tonë. Mund të konfirmoj se nga ekipi është larguar mesfushori Novruz Meçi, por nuk përjashtohet edhe ndonjë lëvizje tjetër. Në fund, më duhet të theksoj se rikuperimi i mesfushorit Stiljan Barka është shumë premtues.

Pas dy javësh ai do të jetë një vlerë e shtuar për grupin tonë”, përfundoi Kristidhi. Ndërkohë, pas tetë javësh kampionat, gjirokastritët pozicionohen të tretët në Grupin B dhe në garë për t’u rikthyer në Kategorinë e Parë.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"