“Kategoritë i bashkuan për vota”, Gorea sulmon: “COVID” është federata, jo kampionati
Disa ditë më parë, Federata Shqiptare e Basketbollit mblodhi këshillin drejtues, ku vendosi për verdiktet përfundimtare të sezonit 2019-2020. Kampionatet u quajtën “COVID” dhe edicioni u mbyll pa fitues. Një vendim që la të pakënaqura, sidomos skuadrat kryesuese. Fillimisht ishte trajneri i Flamurtarit për femra, Viron Toska, ai që shpërtheu në akuza ndaj FSHB-së, duke e quajtur këtë vendim të turpshëm, ndërsa kërkoi që federata duhet t’u kthejë paratë e shpenzuara. Ndërkohë, së fundmi është Teuta për meshkuj ajo që kundërshton hapur këtë vendim.
Nëpërmjet një interviste për “Panorama Sport”, presidenti i durrsakëve, Arqile Gorea, e quan të pakuptimtë vendimin e FSHB-së për të mos shpallur kampionë. Gorea ndalet edhe te data e sezonit të ri, duke ironizuar drejtuesit e sportit të koshit për zgjedhjen e 15 nëntorit. Ish-kryebashkiaku i Durrësit thotë gjithashtu se bashkimi i Superligës dhe Kategorisë së Parë është bërë nga federata për të përfituar vota. Ndërsa edhe një herë tjetër u bën apel klubeve që t’i kushtojnë shumë rëndësi statutit, pasi sipas tij vetëm në këtë mënyrë mund të zgjidhen problematikat e basketbollit shqiptar.
KOMENTI PËR VENDIMIN E FSHB-SË
“Federata jonë vazhdon në ciklin e çudirave dhe jam i sigurt që ky grup drejtuesish do të futet në librin ‘Guinness’ për mënyrën se si po trajtohen problemet që ka basketbolli sot në Shqipëri. Në të gjitha tabelat e klasifikimit Teuta ka qenë në krye të renditjes. Edhe me thyerjen e notës në sjellje, ku na hoqën dy pikë, sërish qëndronim në vend të parë. Theksoj që të dyja ndeshjet që kemi zhvilluar me Gogën, si në Durrës, ashtu edhe te palestra e tyre, kemi dalë fitues. Gjithashtu edhe me Vllazninë kemi dalë fitues dhe nuk arrij ta kuptoj këtë vendim.
Kemi të bëjmë me një aktivitet të ezauruar, i cili është pasqyruar me mund, sakrificë, djersë, emocione dhe financa dhe nuk ka se si të zerohet e të quhet ‘COVID’. Unë nuk e di kush e ka ‘COVID’-in, basketbolli apo federata?! Por me siguri që e ka federata e cila shpalli pavlefshmërinë e kampionatit. Si mundet që këta njerëz të marrin vendime pa marrë mendimin e grupeve të interesit. Klubet investojnë para, ndërsa këta vendosin sipas qejfit të tyre pa pyetur askënd. Por kuptohet që konflikti i interesit, paaftësia dhe mungesa e vendimmarrjes në favor të zhvillimit të basketbollit, të tilla gjëra do të prodhojë”, thotë Gorea.
DATA E FILLIMIT TË SEZONIT 2020-2021
“Me sa duket në federatë duhet të ketë filluar punë ndonjë astrolog, i cili merret me parashikime. Çdo federatë në botë, duke u bazuar në eksperiencën e këtyre muajve, do të nxirrte mësimet përkatëse, duke nisur që nga mundësia se si mund të realizohet në këto kushte një kampionat, apo tek infrastruktura. Pra duhet të kishim një paketë analize, e cila duhet të dilte me konkluzionet, të cilat mund t’ua kalonim në formë udhëzimi të gjitha klubeve.
Por astrologët e federatës na thonë më 15 nëntor. Nga ta dimë ne se çfarë do të ndodhë deri në atë datë. Kjo është një papërgjegjshmëri që kushton. Nëse federata do të kishte marrë vendime që në qershor, do t’u kishte kursyer shpenzime ekipeve dhe lojtarëve. Kështu që sërish jemi në një periudhë të ngarkuar, pasi të fillojmë më 15 nëntor, do të thotë maksimumi më 15 shtator duhet të nisin stërvitjet. Pra, kemi të bëjmë sërish me mund, sakrificë dhe shpenzime financiare”, shprehet kreu i skuadrës bregdetare.
BASHKIMI I DY KATEGORIVE
“Kooperativizimi i kampionatit, duke i futur të gjitha ekipet bashkë, ka një prapavijë jo të sinqertë. Ky veprim i përkthen kënaqësitë apo pakënaqësitë e klubeve në vota për asamblenë e ardhshme. Diskutimi për statutin, për asamblenë, për zgjedhjet apo për mënyrën si duhet të rritet efiçenca e punës së federatës duhet të ishin pikat kryesore të diskutimit, por këto vazhdojnë të lihen në harresë.
Në mbledhjen e fundit të KD-së nuk është diskutuar fare për asambletë e dështuara, siç ishte ajo e Vlorës apo e 9 korrikut. Nuk është diskutuar fare problemi i financave të këtij sezoni të papërfunduar. A do të na i kthejë federata këto shpenzime në sezonin e ri, apo do të na kërkojnë edhe një herë që të paguajmë për pronarët e federatës. E kam thënë edhe më parë që FSHB për ne ka një pronar, i cili nuk është më Avni Ponari, por Avni ‘Pronari’, pasi ka afruar në federatë njerëz me konflikte të thella interesi për të realizuar atë farsë që po përgatisin të zhvillojnë”.
THIRRJA PËR STATUTIN
“Basketbolli duhet t’u kthehet basketbollistëve dhe të largohen paçavuret e interesaxhinjve, të cilët e shikojnë basketbollin si lopë, që kërkojnë vetëm ta mjelin, por pa e kullotur. Për ta realizuar diçka të tillë, unë do të rikthehem sërish te statuti. Duhet bërë patjetër një statut i cili të asfiksojë abuzimet me sportin e bukur të basketbollit.
Apeli im për të gjitha klubet, të cilat shpenzojnë para dhe energji, e që u japin emocione tifozërive është që të tregohen të përgjegjshme për krijimin e një statuti që t’ua presë rrugën abuzimeve dhe të largojë një herë e përgjithmonë këta njerëz përfitues nga basketbolli, në mënyrë që ky sport t’u kthehet ikonave dhe atyre që e meritojnë. Basketbolli ka qenë sport intelektualësh dhe i tillë duhet të mbetet”, përfundon Arqile Gorea.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"