Kategoria Superiore U-19 / Partizani i pari, Teuta ruan kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2016 | 19:10

Kategoria Superiore U-19 / Partizani i pari, Teuta ruan kreun

GRUPI A

Të kuqtë u japin leksion shkodranëve

Vllaznia-Partizani, kryendeshja e javës së 11-të për kampionatin e të rinjve u ka buzëqeshur të kuqve, të cilët kanë fituar ndaj një rivali direkt për kreun e tabelës. Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar, me dy skuadra të denja për të qenë kampione në këtë grupmoshë. Që në minutën e 15-të ishin të rinjtë e Partizanit ata që kaluan në avantazh me anë të Haxhiut. Por, në limitin e pjesës së parë, është Pusi që vendos baraspeshën dhe skuadrat shkojnë në pushim me rezultatin e barabartë 1-1.

Partizani U-19 festa

Partizani në delir pas fitores

Pjesa e dytë ka qenë edhe më e bukur, me dy skuadrat që luajnë hapur dhe vendosen në kërkim të golit. Vllaznia ka disa raste për shënim, por sulmuesit e saj gabojnë para portës. Nga ana tjetër, të kuqtë të mirëvendosur në fushë, aplikojnë bukur kundërsulmin dhe vendosin seriozisht në rrezik portën shkodrane. Në minutën e 60-të, të kuqtë fitojnë një penallti dhe nga pika e bardhë është Qorri që shënon. Miqtë ruajnë avantazhin deri në fund, duke e merituar fitoren.

Admir Uruçi

Vllaznia

Goleadë e bardhebluve

Tirana ka shkëlqyer kundër Akademisë, duke shënuar pesë gola në një ndeshje spektakolare. Në fillim janë vendësit që kalojnë në avantazh, duke realizuar me Ballën. Më pas, bardheblutë kundërpërgjigjen me Caken, që realizon dy herë, ndërsa Bardhi, Topallaj dhe Dingu plotësojnë fitoren e thellë të skuadrës së drejtuar nga Astrit Hafizi.

Abdulla Dushku

Tirana

Briansi, zot në shtëpi

Vetëm 17 minuta kanë rezistuar të rinjtë e Internacionalit përballë Briansit. Gega shënoi i pari, ndërsa afër fundit të lojës ishte Ndoj që siguroi triumfin e Briansit. Fraksioni i dytë ishte identik si i pari, ku të dyja skuadrat bënë një volum të madh loje, duke krijuar disa raste për të shënuar, por që nuk arritën t’i finalizonin.

Preng Gjikola

Brians

Zhgënjen Shkëndija, Gruda nderon Porton

Porto ka mposhtur Shkëndijën e Tiranës falë dy golave të Grudës, në një takim që ka qenë mjaft i fortë. Goli i parë erdhi vetëm në fund të pjesës së parë, kur Gruda me mjeshtri zgjidhi një situatë që u krijua para portës së Shkëndijës. Fraksioni i dytë, po ashtu si i pari, ishte mjaft i fortë. Nuk munguan rastet dhe spektakli në lojën e ekipeve.

Preng Gjikola

Porto

Nga sherri në paqe, “X” në Kukësi-Laçi

Në fazën e parë pati një incident në fushën e Laçit, teksa drejtuesit e Kukësit akuzuan për dhunë ndaj të rinjve. Gjithsesi, dje dy skuadrat U-19 kanë bërë paqe në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit. Pavarësisht rasteve të shumta, takimi nuk ka shkuar më shumë se 0-0.

“Duke parë vështirësitë dhe problematikat që hasëm gjatë ndeshjes në Laç, klubi mori të gjitha masat organizative në mënyrë perfekte, që të mos kishte probleme dhe incidente të ngjashme”, shkruhej dje në faqen zyrtare të klubit të Kukësit.

Ndërkohë, në këtë takim për verilindorët u aktivizuan nga minuta e parë: Basha, Enis Curri, Thaçi, Kovaçi, Cena, Gjana, Kumanova, Gërmizi, Domi, Endrit Curri dhe Kashtanjeva. Trajneri i Kukësit, Gëzim Shehu, aktivizoi në pjesën e dytë: F.Elezi, Tahiri, Uka, Matmuja, Adili, Elezi dhe D.Shehu.

U-19 A tabela

GRUPI B

Durrsakët ruajnë kreun

Teuta e Gentjan Begejës ka mposhtur me rezultatin 2-1 AF Dinamon. Skuadra durrsake ka kaluar në avantazh me anë të Ajdinit në minutën e 20-të. Pjesa e parë mbyllet 1-0, por pas rikthimit në fushë janë sërish durrsakët që shënojnë edhe golin e dytë. Miqtë nga Tirana nuk pajtohen me këtë rezultat dhe shkurtojnë shifrat, por vetëm kaq.

Jeton Rexhmati

Teuta

Elbasani ndal vlonjatët

Elbasani ndal Flamurtarin në Vlorë. Vendësit nuk përfitojnë nga faktori fushë, duke mos shkuar më shumë se një barazim i bardhë. Pavarësisht rasteve, vlonjatët nuk kanë mundur të realizojnë për të gjetur një gol dhe për të marrë fitoren. Elbasani ka luajtur mjaft mirë në pjesën e dytë, por miqve u ka mohuar golin portieri Qirko.

Kastriot Brahimaj

Flamurtari

Pejo, heroi i korçarëve

Skënderbeu i Jani Kaçit fitoi me rezultatin e pastër 2-0 në “Roza Haxhiu” të Lushnjës. Sulmuesi i të rinjve korçarë, Anesti Pejo, “firmosi” fitoren e korçarëve me nga një gol në secilën pjesë. Por, goli i avantazhit në pjesën e parë ishte spektakolar. Miqtë e merituan triumfin, duke rikthyer shpresat për të kapur kreun e renditjes.

Alban Alushi

Lushnja

Dinamo bën tripletë

Dinamo ka arritur të mposhtë Besën me tre gola, ku dy u shënuan që në pjesën e parë. Fillimisht realizoi Kelo në minutën e 28-të dhe më pas në kohën shtesë të fraksionit të parë është Jaku që dyfishon. Skuadra kavajase e nis bukur, por shumë shpejt është Dinamo që, me anë të Dacit, shënon golin e tretë, duke vulosur triumfin e bluve të kryeqytetit.

Abdulla Dushku

Dinamo

Shkëlqen Pogradeci

Pogradeci fitoi me një lojë mjaft të bukur ndaj Shkëndijës së Durrësit. Edhe pse shpërthimi i liqenorëve erdhi në pjesën e dytë, sërish vendësit ishin dominues, duke e mbajtur ekipin mik në gjysmëfushën e vet. Dragoi kaloi në avantazh në minutën e 48- të, ndërsa Demiri dhe Bajraktari plotësuan fitoren e Pogradecit.

Pogradeci

Pëllumb Starova

U-19 B tabela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"