Kategoria Superiore U-19 / Partizani dhe Flamurtari nuk falin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2017 | 20:33

Kategoria Superiore U-19 / Partizani dhe Flamurtari nuk falin

GRUPI A

Të kuqtë ruajnë kreun në Laç

Partizani e ka nisur vitin me fitore në një fushë shumë të vështirë si ajo e Laçit. Skuadra e kuqe, e drejtuar nga Ylli Shehu, që pak ditë më parë triumfoi në Kupën e Shqipërisë, gjeti golat vetëm në pjesën e dytë ndaj kurbinasve. Smaçi dhe Prodani u bënë protagonistë të golave për të kuqtë. Goli i parë u realizua në minutën e 60-të, ndërsa për të vulosur suksesin mendoi mbrojtësi Prodani në 73-ën.

Trajneri Shehu e nisi lojën me këtë formacion: në portë ishte Shera, ndërsa në mbrojtje Prodani, Çela, Doksani dhe Fetaj. Në mesfushë u rreshtuan Qorri, kapiteni Bajrami, Smaçi, Hima dhe Daci, ndërsa në majën e sulmit ishte Vatnikaj. Për 19-vjeçarët e kuq ky ishte suksesi i 10-të në këtë kampionat. Tashmë “demat” e rinj janë ngjitur në kuotën e 32 pikëve, por janë në një rival të ashpër me Tiranën dhe Vllazninë. Si bardheblutë, ashtu edhe shkodranët kanë secila nga 30 pikë.

Partizani U-19

Super-Tirana bën spektakël në Lezhë

Ndeshja mes të rinjve të Tiranës dhe atyre të Briansit ishte mjaft e fortë, por ekipi i Astrit Hafizit ishte mjaft i qartë në veprimet e tij. Kjo bëri që bardheblutë të merrnin një rezultat të thellë, 4-0, në Lezhë. Loja ka nisur mjaft e fortë, ku të rinjtë e Briansit ishin më agresivë, duke sulmuar për të zhbllokuar rezultatin, por kjo nuk zgjati shumë. Tirana e ndryshoi shpejt taktikën e lojës dhe kaloi në avantazh me anë të Keqës, pas një sulmi të shpejtë nga qendra e mesfushës.

Pas shënimit të golit të parë, Tirana e mori situatën plotësisht në dorë dhe Berisha dyfishoi shifrat me një gol spektakolar. Sulmet e miqve janë të shpeshta dhe të papërballueshme. Në fraksionin e dytë, vendësit u munduan të reagonin, por Tirana i goditi në momentin më të mirë, teksa Bardhi trefishoi shifrat. Ndonëse në disavantazh, të rinjtë e Briansit nuk arritën që të rikuperonin forcat, por i lanë terren kundërshtarit për të shënuar edhe golin e katërt, pikërisht me autor Topallin, që vulosi në këtë mënyrë fitoren.

Preng Gjikola

Brians - Tirana

Bindin shkodranët

Vllaznia bën poker ndaj Internacionalit, në një ndeshje ku iu desh shumë punë për të arritur te fitorja. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Golit të Isufit iu përgjigj Curri, ndërsa në 45 minutat e dyta shkodranët shpërthyen. Pusi realizoi dy herë, ndërsa autor i një goli u bë edhe Palushani. Në minutën e 76-të shënoi edhe Çema për miqtë.

Admir Uruçi

Vllaznia - Internacional U-19

Portos i mjafton Danaj

Ndryshe nga U-17, të rinjtë e Portos kanë fituar përballë Akademisë me rezultatin minimal 1- 0. Loja ka nisur e qetë nga të dyja skuadrat. Janë vendësit që japin të parët sinjalin për ndryshim rezultati, por gabojnë. Në minutën e 38-të ishte Danaj që merr një top në formë krosi dhe nuk fal, duke e dërguar në rrjetë dhe dhuruar tri pikë lezhjanëve.

Preng Gjikola

Porto - Akademia U-19

Kukësi 1 – 0 Shkëndija

Një gol ka vendosur ndeshjen në Kukës mes të rinjve vendës dhe Shkëndijës së Tiranës. Skuadra që përfaqëson shkollën “Loro Boriçi” ka dalë e humbur nga stadiumi “Zeqir Ymeri”, në një ndeshje shumë të luftuar nga të dyja skuadrat. Dështimi në Kukës e largon gjithnjë e më shumë Shkëndijën nga ekipet e kreut, ndërsa për veriorët kjo fitore ishte shumë e rëndësishme në luftën për mbijetesë në Superiore.

U-19 A

GRUPI B

Goleadë e vlonjatëve

Fitore e thellë e Flamurtarit të Dritan Resulit. Vlonjatët kaluan pa vështirësi Shkëndijën e Durrësit, teksa diferencën e bëri dopieta e Sadushit, si dhe golat e Qarrit, Dalanajt dhe Aliajt. Vetëm në një moment të pjesës së parë miqtë kanë barazuar përkohësisht. Ndërkohë, këtë takim e ka ndjekur edhe presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Kastriot Brahimaj

Flamurtari - Shkendija

8 gola për 1 pikë

Gola pa fund për një pikë dhe kartonë të shumtë. Kjo është tabloja e ndeshjes ndërmjet Teutës dhe Elbasanit, që përfundoi me rezultatin 4-4. Edhe pse ka pasur kontestime nga të zotët e shtëpisë për arbitrimin, vlen të theksohet se durrsakët e kanë mbyllur takimin me 9 lojtarë pas daljes me të kuq të Ajdinit dhe Ujka prej ndërhyrjeve të rënda.

Jeton Rexhmati

Teuta - Elbasani U-19

Shkëlqen Skënderbeu

Skënderbeu ka mposhtur 4-1 Dinamon, në një ndeshje që në fakt ka qenë shumë e luftuar. Edhe pse humbja ishte e thellë, vlen të theksohet se dinamovitët kanë bërë një lojë të pëlqyeshme, por kanë qenë në shumë raste të pafat. Osmanllari, Mara dhe dopieta e Kuotosis vendosën takimin. Për blutë e Olsi Ukut golin e vetëm e shënoi Kelo me penallti.

Abdulla Dushku

Dinamo - Skenderbeu U-19

Besa befasohet në shtëpi

Besa ka humbur ndaj AF Dinamos në shtëpi, në një takim që ndoshta nuk e meritonte të linte tri pikë. Kavajasit ishin të dënuar nga mungesat e Brahimajt, Hoxhës, Mashës e Carës, që tashmë luajnë te Besa e madhe, por edhe Hykës me 3 kartonë. Goli i Pjetrës në minutën e 77-të vulosi ndeshjen në Kavajë, ndërkohë që gaboi në dalje portieri Puja.

Feriz Ferizaj

Besa - AF Dinamo U-19

Fejzaj nderon Lushnjën

Në “Roza Haxhiu” Lushnja mundi Pogradecin 1-0. Skuadra e trajnerit Emilio Çukani u rikthye te fitorja pas tri humbjeve radhazi. Pas një ore lojë, golin e fitores për të rinjtë lushnjarë e shënoi futbollisti më i mirë në fushë, Fejzaj. Me një goditje të zgjuar brenda zonës, ai mposhti portierin Sulollari. Kjo mjaftoi për tri pikët e vendësve.

Lushnja - Pogradeci U-19

Alban Alushi

U-19 B

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"