Kategoria Superiore U-17/ Zbulohen dy çiftet gjysmëfinaliste

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2022 | 11:21

Kategoria Superiore U-17/ Zbulohen dy çiftet gjysmëfinaliste

Kategoria Superiore U-17 ka luajtur ditën e shtunë katër ndeshjet çerekfinale të këtij sezoni emocionues, që po shkon drejt fundit.

KATEGORIA SUPERIORE U-17

Tetë skuadrat më të mira të Grupeve A dhe B u përballën ndërmjet tyre në fazën play-off, duke përcaktuar tashmë edhe katër ekipet gjysmëfinaliste, që do të luajnë për të arritur finalen e madhe.

Internacional kishte përballë në këtë takim ekipin e Football Republic, një ndeshje mjaft e luftuar që përfundoi me fitoren e Internacionalit 2-0. Kjo sfidë prodhoi tre kartona të kuq, teksa golat për Internacionalin u realizuan nga Guci dhe Iliazi që në pjesën e parë të takimit.

Vllaznia mundi me rezultatin e pastër 3-0 Durrësi 04, duke siguruar kështu biletën për në gjysmëfinalen e këtij edicioni. Shkodranët gjetën golin e avantazhit që në minutën e parë, teksa realizuan edhe dy golat e tjerë në fraksionin e dytë të takimit.

Gjysmëfinalisti i tretë i këtij sezoni është ekipi i Shënkollit. Lezhjanët triumfuan me shifrat 2-1 ndaj Teutës, në një ndeshje mjaft emocionuese, që nisi me dy gola të shënuar nga Shënkolli, ndërsa durrsakët tentuan të ndryshonin fatin e lojës pak minuta para fundit duke ngushtuar rezultatin me Hazisllarin, por nuk ia dolën dot.

Në ndeshjen tjetër çerekfinale, Pepa – Tirana, koha e rregullt e takimit u mbyll me rezultatin e njëjtë 1-1, por sipas rregullores, skuadra e Pepës prek gjysmëfinalen, pasi ekipi i renditur më mire në klasifikim kualifikohet për në fazën tjetër.

Kategoria Superiore U-17, ndeshjet çerekfinale:

FC Internacional 2-0 Football Republic

Durrësi 04 0-3 KF Vllaznia

Shënkolli 2-1 KF Teuta

Sh. F. Pepa 1- 1 KF Tirana (kalon Pepa sipas rregullores)

Kategoria Superiore U-17, çiftet gjysmëfinaliste:

Sh. F Pepa-Shënkolli

FC Internacional- KF Vllaznia

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"