Kategoria Superiore U-17 / Ngec Tirana, Flamurtari pa rivalë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2016 | 18:32

Kategoria Superiore U-17 / Ngec Tirana, Flamurtari pa rivalë

GRUPI A

Akademia super, gjunjëzon bardheblutë

Paratërinjtë e Akademisë së Futbollit kanë fituar kundër Tiranës, duke surprizuar me lojën e tyre. Skuadra e drejtuar nga Ardit Bozo ka treguar një nivel të shkëlqyer loje, duke merituar triumfin kundër bardhebluve të Sulejman Memës. Fillimi i ndeshjes u ka buzëqeshur vendësve, të cilët përmes Hajdërajt kaluan në avantazh në minutën e 8-të. Më pas loja ekuilibrohet, pasi Tirana ushtron presion të vazhdueshëm. Te kryeqytetasit ka shkëlqyer kapiteni Redon Dragoshi, që nga mbrojtja organizon aksionet.

Akademia U-17

Pas një krosimi në zonë, është Aldo Selenica që godet bukur me kokë, duke shënuar golin barazimit dhe dërguar skuadrat në pushim me shifrat 1-1. Në fraksionin e dytë është Ergys Peposhi ai që ka entuziazmuar lojtarët e Akademisë, duke shënuar golin e dytë, që kishte vlerën e tri pikëve. Në fund festa e skuadrës private që është në pronë si të trajnerit të Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi, ka vijuar festën së bashku me tifozët.

Abdulla Dushku

Akademia-Tirana

Në Shkodër s’ka fitues

Kryesuesit e kampionatit U-17 për grupin A nuk kanë shkuar më shumë se barazimi pa gola kundër Partizanit. Skuadra e drejtuar nga Haris Lika, edhe pse krijoi një volum të madh loje, nuk diti të finalizonte aksionet. Të kuqtë u mbrojtën mirë dhe kërkuan përmes kundërsulmit të ndëshkonin shkodranët, por gjithsesi takimi përfundoi pa gola.

Admir Uruçi

Vllaznia-Partizani

Bind Internacionali

Derbi i ekipeve private të kryeqytetit mes Olimpikut dhe Internacionalit ka folur për këta të fundit. Goli i Muratit në minutën e 19-të ka vendosur takimin. Pas pësimit të golit, Olimpiku është munduar për të barazuar, por Spahiu, Dallazhi e Totraku humbën raste të pastra për shënim. Internacionali mori 3 pikë të merituara.

Abdulla Dushku

Olimpiku-Internacional

Porto thyen Shkëndijën

Takimi mes Portos dhe Shkëndijës së Tiranës u mbyll me fitoren e vendësve 2-1. Loja është kontrolluar nga Porto, por edhe futbollistët miq rrezikuan disa herë. Në minutën e 20-të, Bibaj kaloi në avantazh lezhjanët, ndërsa në pjesën e dytë ishte Djala që dyfishoi shifrat. Miqtë arritën të shkurtonin diferencën me anë të Lecit, por vetëm kaq.

Preng Gjikola

Porto-SH.T.

Kukësi shpërthen me “poker” ndaj Laçit

Kukësi shkëlqen ndaj Laçit, duke fituar me shifrat e thella 4-0. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zeqir Ymeri”, vendësit kaluan në avantazh që në minutën e 3-të. Deda ka hapur serinë e golave, por vetë minuta më pas, Bela ka shënuar edhe golin e dytë.

Por furia kuksiane nuk ndalet, pasi pa u mbyllur pjesa e parë, ata shënojnë edhe dy herë, për të mbyllur praktikisht historinë e këtij takimi. Protagonist absolut u bë Belaj me një tripletë, duke qenë lojtari më i miri në fushë. Me këtë trepikësh, verilindorët konsolidojnë pozitat e tyre, duke u ngjitur në vendin e gjashtë.

Trajneri Agim Belaj u kishte besuar këtyre lojtarëve: Gashi, Elezaj, Duraku, Bytyqi, Osmani, Lumi, Deda, Kovaçi, Rakaj, Belaj dhe Ademi. Ndërsa në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Hallaçi, Ademi, Sopi e Jakupi.

Skerdilaid Sulozeqi

U-17 tabela

GRUPI B

Sinaj nderon vlonjatët

Mjafton një gol për tri pikë. Flamurtari ka fituar minimalisht ndaj Elbasanit, teksa Sinaj ka vendosur ndeshjen me golin e shënuar në minutën e 24-t. Ka qenë një takim i luftuar nga të dyja skuadrat, ndërsa rastet nuk kanë munguar. Pas pësimit të golit, Elbasani kërkon të ndryshojë në lojë për të gjetur barazimin, por nuk ia del.

Kastriot Brahimaj

Flamurtari-Elbasani

Teuta i falet Hoxhës

Teuta ka mposhtur me shifrat 2-0 AF Dinamon, në një ndeshje ku protagonist është bërë Hoxha me dopietë. Ekipi durrsak kaloi në avantazh që në minutën e 20-të. Më pas, në pjesën e dytë vendësit shënuan edhe golin e qetësisë. AF Dinamo u mundua të reagonte, për të shënuar të paktën një gol, por gjithsesi durrsakët u mbrojtën mirë.

Jeton Rexhmati

Teuta-AF Dinamo

Shkëlqen Demollari

Skënderbeu fitoi në “Roza Haxhiu” kundër Lushnjës falë dopietës së Flavio Demollarit. Skuadra e trajnerit Bledar Vila e pa veten në avantazh në minutën e 28-të, por dy minuta më vonë Filipo Llazo barazoi për Lushnjën. Kur kishin kaluar vetëm 20 sekonda nga pjesa e dytë, Demollari shënoi golin e dytë dhe të fitores për Skënderbeun.

Alban Alushi

Lushnja-Skenderbeu

Pogradeci nuk fal

Paratërinjtë e Pogradecit arritën të marrin tri pikë në fushën e tyre kundër Shkëndijës së Durrësit. Ka qenë një takim mjaft i bukur, me aksione të shumta nga të dy ekipet. Pogradeci vuajti shumë për të gjetur golin. Në minutën e 73-të , mesfushori me tipare sulmuese, Dejvi Hyko, realizoi një gol mjaft të bukur, duke i dhënë tri pikë ekipit.

Pëllumb Starova

Pogradeci-SH.D.

Dinamo mposht Besën

Dinamo ka shkëlqyer në takimin ndaj Besës, duke fituar me shifrat e pastra 2-0. Lami në minutën e 29-të dhe Qoshku me penallti në pjesën e dytë, kanë shënuar për blutë e kryeqytetit. Ka qenë një lojë më e mirë e Dinamos kundër kavajasve, që patën raste për shënim, por pa arritur të shënojnë. Në dy raste, Krasniqi rrezikoi portën e dinamovitëve.

Dinamo-Besa

Abdulla Dushku

U-17 B Tabela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"