Kategoria Superiore U-17 / Ndalet Vllaznia, Tirana merr kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2017 | 12:14

Kategoria Superiore U-17 / Ndalet Vllaznia, Tirana merr kreun

GRUPI A

Mjafton Leci, Shkëndija thyen shkodranët

Shkëndija e Tiranës i ka shkaktuar një disfatë të rëndë Vllaznisë. Pasi humbën në finalen e Kupës së Shqipërisë me Tiranën, tashmë shkodranëve u duhet të dorëzojnë edhe vendin e parë, pikërisht te bardheblutë. Në ndeshjen e djeshme ndaj skuadrës që përfaqëson shkollën e mjeshtërisë sportive dhe që drejtohet nga Luan Pinari, ka vendosur goli i Lecit në minutën e 22-të. Loja ka qenë e ekuilibruar, me miqtë që kanë kryer volum të madh, por nuk kanë qenë të saktë përpara portës.

Qardaku, një nga më të mirët në fushë, ka qenë i pafat, pasi në 6 tentativa drejt portës së Shkëndijës, një herë trondit traversën dhe në rastet e tjera grushtoi portieri Kola. Te Vllaznia u ndje disi lodhja pas asaj ndeshjeje në mesjavë ndaj Tiranës për Kupë. Kësisoj, forca e reagimit nuk ishte ajo që ndoshta priste trajneri Alban Hasani. Tashmë kuqeblutë zbresin në vendin e dytë dhe, për më tepër, janë me pikë të barabartë me Akademinë e Alban Bushit.

Abdulla Dushku

Shkendija T. - Vllaznia

Bardheblutë pa frena, leksion Kukësit B

Tirana e Sulejman Memës nuk di të ndalet. Pas triumfit në Kupën e Shqipërisë, dje bardheblutë e vegjël kanë mposhtur me shifrat e thella 5-0 Kukësin, duke marrë kreun e tabelës në grupin A. Me dy golat e pjesës së parë të shënuar nga Basha dhe Selenica, Tirana hipotekoi fitoren. Megjithatë, të besuarit e Memës u treguan të pam- ëshirshëm, pasi në 40 minutat e dyta kishte vend edhe për tre gola të tjera. Basha dhe Selenica shënojnë edhe nga një gol tjetër, ndërsa në fund është Çakri ai që vulos këtë fitore të thellë.

Brenda tri ditëve Tirana arrin të fitojë trofeun e Kupës, pasi mundi me penallti në finale Vllazninë dhe më pas të marrë edhe kreun e tabelës. Bardheblutë janë favoritë për të fituar edhe titullin, duke treguar forcën ndaj rivalëve. Megjithatë, mbeten edhe shumë javë për t’u luajtur, teksa gara me Vllazninë është shumë e fortë, për më tepër që tashmë është afruar edhe Akademia. Skuadra e Memës beson se mund të fitojë edhe titullin.

Abdulla Dushku

Tirana - Kukesi

Akademia nuk fal në shtëpi

Akademia ka arritur të fitojë pastër ndaj Olimpikut, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon. Një gol me penallti në minutën e 17-të nga Mehmetllari dhe, më pas, në pjesën e dytë nga kapiteni Tuci, vendosën ndeshjen në kompleksin e Kamzës. Përveç autorëve të golave, u dalluan te skuadra e Akademisë edhe mbrojtësi Guni e sulmuesi Mehmetllari.

Abdulla Dushku

Akademia - Olimpiku

Internacionali super

Internacionali ka fituar me goleadë ndaj Laçit. Plot 8 gola nga tetë futbollistë të ndryshëm u shënuan. Karaj, Bozhani, Llalla, Demollari, Shehaj, Bernaca, Ndrej dhe Gjini ishin protagonistë për Internacionalin. Skuadra e Elvis Plorit po kalon një moment të shkëlqyer, teksa një javë më parë fitoi edhe në Shkodër, duke konfirmuar pretendimet.

Abdulla Dushku

Internacional - Laci

Shkëlqen Partizani

Partizani rikthehet te fitorja me pesë gola kundër Portos. Peti, Kaso, Karati dhe dopieta e Hodaj vendosën takimin e së shtunës. Gjatë pjesës së parë kishte një lojë të ekuilibruar, ku edhe miqtë patën tri mundësi shënimi. Ndërsa në pjesa e dytë të kuqtë dominuan totalisht, duke shpërthyer në gola. Kjo fitore ngjit në tabelë ekipin e Çoçllit.

Partizani - Porto skeda

Abdulla Dushku

U17 A

GRUPI B

Në Korçë nuk ka fitues

Skënderbeu dhe Teuta kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen e djeshme në Korçë. Ka qenë një lojë thuajse e barabartë, me dy skuadra që bënë pak për të shënuar. Skënderbeu e kërkoi më shumë golin, por ishte i paqartë para portës. Nga ana tjetër, durrsakët bënë një lojë të kujdesshme dhe u munduan të godisnin ekipin mik me kundërsulme.

Llazi Saro

Skenderbeu - Teuta

Spektakël për një pikë

Gjashtë gola në Durrës, por me Shkëndijën dhe Dinamon që ndajnë nga një pikë. Gjithç- ka u mbyll me shifrat 3-3, në një ndeshje ku golat pasuan njëri-tjetrin. Hoti shënoi fillimisht nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa R.Cani barazoi më pas. Në pjesën e dytë, Hoti e Hoxha shënuan për vendësit, por A.Cani iu kundërpërgjigj me dopietë.

Jeton Rexhmati

Shkendija D. - Dinamo

Bind AF Dinamo

AF Dinamo ka shpartalluar 5-0 lushnjarët, në një ndeshje shumë të bukur. Kevi Balla bëhet protagonist në shënimin e tre golave të parë, duke dhënë asistet për Muçin, Hoxhajn dhe Ramën. Më pas Balla shënoi vetë, ndërsa për të vulosur triumfin mendoi Bashaj. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ergi Lubani po tregon një formë të mirë në këtë fazë.

Abdulla Dushku

AF Dinamo - Lushnja

Besa fiton në Elbasan

Besa ka marrë një fitore të çmuar në transfertën e Elbasanit. Goli i vetëm i sfidës u shënua nga Gjongecaj pak minuta nga fundi i lojës, duke mos u dhënë mundësinë vendësve për të kthyer shifrat. Në përgjithësi ka qenë një ndeshje e fortë nga të dy ekipet, ku Elbasani e kërkoi me ngulm fitoren, por në fund ajo u buzëqeshi miqve.

Elbasani - Besa

Vladimir Mema

U17 B

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"