Kategoria e Tretë nis me lumë golash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2016 | 12:23

Kategoria e Tretë nis me lumë golash

Dje ka ngritur siparin Kategoria e Tretë e futbollit me tri ndeshjet e para, ku dy prej tyre u luajtën në Kamzë, Universiteti Kombëtar Zoja e Këshillit të Mirë ka fituar 3-2 ndaj Akademisë Ajaks të Shkodrës, ndërsa Mirdita ka barazuar 2-2 me Internacionalin e Tiranës. Takimi i tretë, ndërmjet Spartakut dhe Termit, u luajt në kompleksin “Olimpik” në Yrshek, ku ka fituar skuadra e Spartakut 3-1.

Trembëdhjetë  gola në tri ndeshje, flet për një nisje të mbarë të këtij kampionati. Golashënuesi i parë u bë Besard Berisha i ZKM-së, që shënoi në minutën e 9-të ndaj AAS.

ZKM - AAS

Çast nga ndeshja ZKM – AAS 3 – 2

ZKM – AAS 3 – 2

Një ndeshje mjaft e bukur që dhuroi spektakël dhe supergola. Më i miri i takimit ka qenë Aurel Meminaj (ZKM), që ka shënuar dy gola. Fillimisht skuadra e Zojës së Këshillit të Mirë, që drejtohet nga italiani Danitto Berdoldo, kalon në epërsinë e tre golave, 2 prej të cilëve në fraksionin e parë. Në të 9-tën është Berisha, që me kokë brenda zonës finalizon krosimin e Meminajt.

Në të 41-tën është Meminaj që, pasi ka marrë një top nga mesfusha drejtohet drejt zonës dhe realizon një supergol pas goditjes në formë parabole. Në të 76-tën po ky lojtar shënon dhe një tjetër supergol me goditje nga 22 metra. Në 10 minutat e fundit zgjohet skuadra e AAS. Janë Kraja dhe Sherri ato që shënojnë dy herë, por vetëm kaq, pasi ZKM fiton 3-2.

ZKM - AAS skeda

Mirdita – Internacional 2 – 2

Një ndeshje që meriton këtë rezultat, pasi të dyja skuadrat kanë luajtur shumë bukur. Skuadra mirditore, që me fillimin e lojës nga qendra, realizon me Pepkolajn. Me këtë gol mbyllen 45 minutat e para. Në fraksionin e dytë, skuadra e Mirditës dyfishon shifrat, por Internacionali, edhe pse do të luajë me 9 lojtarë, arrin të barazojë. Hyka dhe Hoxha u ndëshkuan me të kuq, por Dylja dhe Mila shënuan dy gola të shpejtë, duke e mbyllur ndeshjen 2-2.

Mirdita - Internacional skeda

Spartaku – Termi 3 – 1

Dy skuadra që kanë hedhur kandidaturën për t’u ngjitur në Kategorinë e Dytë janë përplasur mes tyre që në start. Spartaku fitoi, duke ia arritur qëllimit. Artur Sejdini kthen në gol penalltinë e fituar nga Leonard Harroku. Më pas, Sejdini pason te Harroku dhe ky i fundit shënon. Skuadra e Termit arrin t’i shkurtojë shifrat me anë të Erald Abazi në të 36-tën dhe skuadrat shkojnë në pushim 2-1. Në fraksionin e dytë, për të siguruar fitoren ka menduar Kreshnik Ruçi pas një depërtimi personal në zonë.

Spartaku - Termi skeda

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"