KATEGORIA E TRETË/ Kampionati nis me surpriza! Basania përmbys Përmetin, Albanët e Shetës mundin Këlcyrën (REZULTATET DHE KALENDARI)
Starton Kategoria e Tretë. Pas ndryshimit të formulës dhe kalendarit, skuadrat e para kanë zbritur në fushë.
Java e parë ka nisur me dy ndeshje, ndërsa të tjerat do të luhen sot, nesër dhe të hënën. Ashtu sikundër ishte planifikuar, dje janë luajtur dy ndeshjet e para dhe surprizat nuk munguan.
Përmeti dhe Këlcyra (ekipe që vijnë nga Kategoria e Dytë) janë befasuar në startin e sezonit 2022-2023 nga dy debutuese. Ishin Basania dhe Albanët ato që kanë dalë fitimtare…
PËRMBYSET PËRMETI
Në ndeshjen e parë, Përmeti e ka nisur në mënyrën më të bukur lojnë. Kanë shënuar dy gola të shpejtë që në pjesën e parë, fillimisht Halili në të 14-ën ishte ai që zhbllokoi shifrat dhe më pas mendoi Koçi në të 28’-ën që të jepte qetësinë.
U duk sikur do të fitohej lehtë nga përmetarët, por qetësia rezultoi një “mirazh”. Shkodranët që debutojnë me ekipin e Basanias, i cili mban emrin e lashtë 2400-vjeçar të Bushatit dhe përfaqëson qytetin e Shkodrës me qendër në lagjen Arra e Madhe e president Ermir Shina, kanë reaguar shpejt duke shkurtuar në 2-1 me anë të Shkëmbit.
Në fraksionin e dytë gjithçka flet për shkodranët, të cilët shënojnë dhe dy gola të tjerë. Barazimi vjen nga këmbët e Ndojës, ndërsa goli i trepikëshit shënohet nga kapiteni Olsi Radohina.
ALBANËT “CINIKË”
Në takimin e dytë, Këlcyra humbet me Albanët. Kjo sfidë dukej më shumë si një “derbi”, pasi shumica e lojtarëve janë kryeqytetas. Në sy binte prezenca në fushë e qendërmbrojtësit Arjan Sheta.
Ka qenë një duel mjaft i fortë me të dyja skuadrat që kanë luftuar me shpirt, por Albanët u treguan cinikë.
Epërsia është përcaktuar nga goli i Rigers Mersinit, në të 39-ën minutë, që i ka dhënë tri pikët e para kësaj skuadre debutuese. Këta të fundit ditën që të mbronin avantazhin edhe gjatë pjesës së dytë.
Sot do të luhen dy takimet e tjera, SkrapariÇerma dhe Gramozi-Drini.
Të shtunën do të luajnë Klosi me Adriatikun dhe të hënën mbyllet java e parë me takimin Spartaku-Minatori i Bulqizës.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
