KATEGORIA E PARE/ Zoga: Fitore çliruese, por të mos e ulim vigjilencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2021 | 21:54

KATEGORIA E PARE/ Zoga: Fitore çliruese, por të mos e ulim vigjilencën

Apolonia u kthye, dhe bindshëm madje. Dy fitore radhazi janë dëshmia më e mirë. Bardhejeshilët janë ngjitur në vendin e 9-të dhe kanë moralin e duhur për të vijuar garën. Në Luz nuk ishte e thjeshtë, por me një qetësi olimpike bardhejeshilët ia dolën.

Apolonia

Këtë e thotë edhe Krisild Zoga, autori i një prej golave. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, mbrojtësi theksoi:

“Ishim përgatitur gjatë gjithë javës për këtë transfertë dhe i dëshironim aq shumë pikët. Jam i gëzuar për golin që shënova, por më shumë rëndësi ka fitorja dhe sidomos në ndeshje të tilla. Ndihem i çliruar që gjeta rrjetën dhe shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi. Morali tani është më i lartë, por vigjilenca nuk duhet lënë pas dore. Synimi është vazhdimësia, ndaj të përqendrohemi te java e 8-të”. Nuk kishte si të mos fliste për skemat e trajnerit dhe objektivat.

“Trajneri Juri Kanarsa mendoj se po punon mjaft mirë me këtë grup lojtarësh që ka në dispozicion dhe ditë pas dite po na i ngulit në kokë idetë e tij. Për mua nuk ka rëndësi skema, por mënyra se si e interpreton atë në fushë. Synimet? Të tregohem i sinqertë, Apolonia mendon për ndeshjen e radhës sepse synimi ynë kryesor është vazhdimësia në kampionat. Pa diskutim që dy fitoret e njëpasnjëshme të arritura brenda pak ditëve na motivojnë më shumë”, përfundoi Zoga.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"