FSHF shtyn startin e së Parës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2014 | 12:14

FSHF shtyn startin e së Parës

ShulkuKaos me kampionatin e Kategorisë së Parë. Kur gjithçka ishte gati dhe gara do të niste sot, Federata Shqiptare e Futbollit ndryshon gjithçka në momentet e fundit. Institucioni i futbollit ka lajmëruar dje në mbrëmje se kampionati i së Parës është shtyrë. “Federata Shqiptare e Futbollit njofton klubet e interesuara, opinionin sportiv dhe median, se kampionati kombëtar i Kategorisë së Parë, i planifikuar për të filluar të shtunën datë 13 shtator, është shtyrë. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, me një vendim qarkullues, ka vendosur që të mos fillojë në datën e caktuar, për shkak se dokumentacioni i kërkuar nga klubet nuk ka qenë i plotë dhe nuk mund të plotësohej në afatin e caktuar. Njëkohësisht ata nuk kanë plotësuar detyrimet financiare të njohura nga rregulloret e FSHF-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të federatës. Mësohet se një pjesë e ekipeve të së Parës si Bylisi, Dinamo apo edhe disa të tjera nuk kanë shlyer ende detyrimin financiar për pjesëmarrjen në kampionat. Gjithashtu, disa klube kanë pasur edhe probleme me federimet. Në një situatë të tillë, FSHF është përgjegjëse për këtë kaos që është krijuar dje me shtyrjen e kampionatit. Duhej të ishte pikërisht institucioni i futbollit që t’i lajmëronte ekipet disa ditë më parë dhe të merrte masa për fillimin normal të garës. Por, zyrtarët e federatës kujtohen vetëm në orët e mbrëmjes për të lajmëruar klubet. “Po ne jemi në Qafë Thanë, tani na lajmëroni!?”, i është përgjigjur në telefon një prej drejtuesve të Naftëtarit punonjësit të FSHF-së, që i ka komunikuar vendimin e shtyrjes. Gjithashtu, stafi i Dinamos dhe lojtarët janë ndier me fat, pasi janë lajmëruar në Durrës për t’u kthyer nga rruga e gjatë që kishin marrë drejt Gjirokastrës. Ndërsa, disa tifozë në “Facebook” kanë bërë humor duke thënë: “Lojtarët e Butrintit kanë kaluar një mbrëmje të paharrueshme në Librazhd”. E gjithë kjo situatë rëndon edhe më shumë gjendjen financiare në klubet e Kategorisë së Parë. Mungesë totale organizimi nga FSHF-ja, e cila ka përgjegjësinë për këtë kaos.
Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"