“Kategoria e Parë kërkon lojtarë me eksperiencë”, ish-futbollisti i Flamurtarit: Nuk mjafton vetëm talenti i të rinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2020 | 11:22

“Kategoria e Parë kërkon lojtarë me eksperiencë”, ish-futbollisti i Flamurtarit: Nuk mjafton vetëm talenti i të rinjve

Lejdi Liçaj ndodhet në Angli aktualisht, por nuk rri pa ndjekur zhvillimet te Flamurtari. Në një prononcimi për “Panorama Sport”, ai thotë se nëse bën merkato dhe afron lojtarë cilësorë, Flamurtari do ngjitet shpejt në Superiore, nëse bazohet tek akademia, ngjitja do vonojë. “Të them të drejtën, nuk e mendoja që Flamurtari do të binte nga kategoria. Ekipi ka shumë lojtarë të rinj të talentuar, plus eksperiencën e Ribajt, Moçkës dhe disa lojtarëve të vjetër, por futbolli është i paparashikushem. Sa i përket ngjitjes në elitë, nuk e di si e ka strategjinë klubi. Nëse do rrisë elementët e rinj dhe nuk do të bëjë blerje, do ta ketë shumë të vështirë, pasi kategoria e parë është shumë e ashpër dhe duhen lojtarë me eksperiencë.
licaj1

Them se Flamurtari nuk do ketë problem për t’u përshtatur në Kategorinë e Parë, pasi është fanellë e rëndë, por duhet të bëjë diferencën. Pra, nëse do të ketë një plan të qartë për ngjitjen në Superiore, patjetër që duhet të bëjnë afrime lojtarësh me eksperiencë. Lojtarët e rinj mund të jenë të talentuar, por kjo nuk mjafton. E shoh të vështirë ngjitjen në elitë me këtë ekip që ka aktualisht. Të rinjtë mund të jenë pjesë e strategjisë se klubit, që mund të ketë vendosur të mendojë për të ardhmen, jo për rezultat të menjëhershëm. Për këtë nuk flas me siguri. Megjithatë, shpresoj të bëjnë më të mirën dhe Flamurtari të shkojë sa më shpejt në vendin që meriton, pasi është skuadër me emër të madh, që ka bërë historinë. Personalisht, ndihem shumë keq kur e shoh në Kategorinë e Parë, por nuk duhet të bëhemi pesimistë. Nuk është fundi i botës. Çdo ekip kalon një moment krize. E rëndësishme është të ringrihesh dhe kam bindjen se kjo do të ndodhë”, është shprehur Liçaj.

RIKTHIMI – Lejdi Liçajt nuk i ndahet zemra nga ngjyrat kuqezi. Ato i mban veshur edhe në ekipin ku luan në Angli, që nuk është profesionist. Mesfushori shprehet se e josh një ftesë nga administratori Idrizi. “Do ishte nder të merrja një rol drejtuesi te Flamurtari, do ishte kënaqësi. Me administratorin Sinan Idrizi kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Momentalisht luaj me një ekip amatorësh, edhe këtu me ngjyrat kuqezi, që janë shumë të dashura për mua. Po ashtu trajnoj edhe fëmijët e vegjël”, thotë Liçaj, i cili veçohet për humorin e tij. Edhe këtë prononcim e mbyll me një batutë: “Këtu në Angli luaj si sulmues”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"