KATEGORIA E PARE/ Apolonia merr zemër, tani do “tris” ndaj Besëlidhjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2021 | 15:54

KATEGORIA E PARE/ Apolonia merr zemër, tani do “tris” ndaj Besëlidhjes

Apolonia ka arkivuar fitoren në “Roza Haxhiu” dhe është përqendruar te java e 8-të. Këtë të diel luajnë në shtëpi, ku do të presin Besëlidhjen. Kundërshtari ndodhet në vendin e parafundit dhe kanë mungesë të theksuar pikësh, por te bardhejeshilët nuk ka vend për nënvlerësim.

Apolonia

Stafi teknik ka kërkuar mobilizim maksimal dhe respektim të kundërshtarit, pasi vetëm kështu mund të ketë vazhdimësi.

Në Fier duan “tris” dhe nëse ia dalin, kjo do të ishte një fitore konfirmimi. Me këtë moto e kanë vijuar stërvitjen edhe dje në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, ku kanë punuar me ritëm të lartë. Grupi ka qenë më i angazhuar se kurrë në çdo ushtrim dhe kërkesë të bërë nga Juri Kanarsa, duke dëshmuar se e keqja kaloi dhe tashmë janë kthyer më të fortë se kurrë.

Misioni “Superiore” duket i vështirë, e megjithatë fierakët duan që t’i marrin gjërat shtruar. Aktualisht janë të shtatët në tabelë dhe qëllimi është që t’i ngjisin shkallët gradualisht. Edhe pse nën zë, ata e thonë hapur që nuk do të heqin dorë nga objektivi fillestar. Vazhdimësia në kampionat dhe ruajtja e këtyre rezultateve pozitive në javët e fundit janë kryefjala e fierakëve në stërvitjet e përditshme.

Grupi i lojtarëve fierakë pas dy fitoreve të fundit është shumë i motivuar dhe tërësisht i bashkuar për të fituar sërish, duke nisur që nga sfida e fundjavës me Lezhën.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"