Kategoria e dytë, lajme shkurt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2015 | 21:12

Kategoria e dytë, lajme shkurt

TomoriTOMORI

Humbja ndaj Domosdovës në jav- ën e kaluar nuk është pritur mirë nga donatori i Tomorit, Kastriot Kërkuta, i cili u ka bërë me dije lojtarëve që gabime të tilla nuk duhet të përsëriten më, pasi në të kundërt do të ketë masa. “Jam tepër i pakënaqur nga paraqitja e ekipit në fushën e Përrenjasit. Lojtarët i kanë të gjitha kushtet, madje dhe shumë herë me të mira se disa ekipe të kategorisë elitare dhe, përveç pagave, motivohen edhe me premio”, ka thënë Kërkuta. Eris Sylyku

EGNATIA

Egnatia ka pësuar humbjen e parë në ndeshjen ndaj Vorës, ndërsa drejtuesit rrogozhinas janë të indinjuar në lidhje me organizimet e vendësve, pasi takimi nisi me 25 minuta vonesë, për shkak se në fushë luante një ekip të rinjsh. Mbrojtësi Emiklajd Xhafa, në lidhje me disfatën, u shpreh: “Më vjen keq që goli im nuk pati vlerën e tri pikëve dhe skuadra humbi. Gjithsesi, me ndihmën e tifozëve jam i bindur se do të fitojmë ndaj Albpetrolit”. Aldo Buzi

BILISHTI

Pas humbjes së thellë me Naftëtarin në shifrat 4-0, ekipi i Bilisht Sport po mendon për sfidën e radhës që do të luajë ndaj Gramozit. Këta të fundit po kalojnë një moment të mirë në kampionat dhe do të kërkojnë një tjetër fitore, por bilishtarët janë të përgatitur për të marrë trepikëshin. Sfida do të luhet në Maliq dhe ekipi i Bilisht Sportit është më i favorizuar për të triumfuar. Thanas Çeva

GRAMOZI

Mbrojtësi i Gramozit, Marjus Faslliaj, nuk e konsideron aspak të lehtë takimin ndaj Bilisht Sportit. “Është një ndeshje delikate për ne, pasi na duhet patjetër që të fitojmë. Nuk e kemi nënvlerësuar kundërshtarin, edhe pse ndodhet poshtë nesh në klasifikim. Jam i bindur se do të bëjmë një lojë të qetë, pa u nxituar dhe me pjekuri, pasi vetëm kështu mund të arrijmë objektivin”, ka thënë Faslliaj. Koço Lilo

DELVINA

Pas barazimit në transfertë ndaj Memaliajt, delvinjotët u janë rikthyer përgatitjeve për ndeshjen ndaj Domosdovës. “Kundërshtari duhet vlerësuar, pasi arriti të fitonte ndaj Tomorit, por neve nuk na lejohet të gabojmë. Të gjithë lojtarët janë në kondicionin e duhur fizik dhe gati për të fituar në këtë përballje dhe për të vazhduar rrugën tonë”, u shpreh zv.trajneri Arben Zani. Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"