Kategoria e Dytë / Gramozi synon ringritjen, Albetroli prezanton trajnerin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2017 | 17:42

Kategoria e Dytë / Gramozi synon ringritjen, Albetroli prezanton trajnerin e ri

GRAMOZI

Sot, në stadiumin “Gramozi” të qytetit të Ersekës nis puna për një ekip pretendent. Skuadra kolonjare e drejtuar nga trajneri Ilir Qirjako synon ringritjen. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri është shprehur: “Kemi marrë të gjitha masat duke u përpjekur që t’i krijojmë kushte më se normale skuadrës.

gramozi

Ndryshe nga sezonet e kaluara, do të hyjmë me pretendime tepër serioze këtë sezon. Për këtë kemi filluar shumë herët nga puna duke u munduar që të bindim disa lojtarë që të jenë pjesë e Gramozit për sezonin e ri. Duke marrë pëlqimin dhe të kryebashkiakut Ilia Stefo se nga ana e tij këtë sezon do na plotësohen të gjitha kushtet dhe ajo që është më e rëndësishme, ana financiare. Shpresoj që brenda javës ekipin ta kem të plotë”. /Koço Lilo/

ALBPETROLI

Më në fund, çdo gjë është gati në stadiumin “Alush Noga”. Albpetroli do të nisë sot zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri ku do të synojë që të ndërtojë një ekip pretendent për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Pritet që sot të prezantohet edhe trajneri i ri, Marjol Miho bashkë me zv/trajnerin Sokol Agjendari.

Albetroli stadiumi

Të dy teknikët janë nga Fieri dhe pritet shumë prej tyre. Gjithashtu, mësohet se skuadrës do t’i bashkohen të gjithë ata lojtarë që ishin pjesë e ekipit gjatë sezonit të fundit. Pastaj, në ditët në vazhdim, pritet që të shikohet për merkaton. Një burim brenda klubit bën të ditur se priten 4-5 futbollistë cilësorë që do të bëjnë diferencën. Gjatë kampionatit të kaluar, Albpetroli bëri një paraqitje të mirë duke u renditur në vendet e para. /Amarildo Gropa/

SKRAPARI

Skrapari është në ditët e para të përgatitjeve ku ritmi është i lehtë. Kontingjenti përbëhet nga futbollistët vendës, ku parashikohen edhe përforcime. Pavarësisht temperaturave të larta, impenjimi i futbollistëve të skuadrës është maksimal.

Skrapari

Stafi teknik do të shfrytëzojë këtë periudhë për të pritur sa më mirë skuadrën, ku ndoshta në ndryshim nga sezonet e kaluara objektivat do të jenë më ambicioze.

Realisht, te Skrapari e pranojnë që nuk mund të pretendojnë në këtë sezon ngjitjen në Kategorinë e Parë, por synim ngelet konsolidimi i skuadrës për ta përballuar me sukses kampionatin e ri ku nuk do të diskutohet aspak mbijetesa. Në vitet e fundit, ekipi ka luftuar vetëm për mbijetesën duke e arritur atë në javët e fundit. /Arben Çepani/

TEPELENA

Skuadra e Tepelenës do të nisë përgatitjet pas disa ditësh. Trajneri Ilir Selimi e ka të qartë tashmë listën me futbollistët që do të jenë pjesë e skuadrës në sezonin e ri.

Tepelena 2015

Kryesisht, do të ruhet grupi i kampionatit të kaluar, në një kohë që do të bëhen edhe afrime. Financat do të jenë sërish të garantuara nga Bashkia e Tepelenës. Pritet që ekipi të jetë një prej skuadrave që do të rivalizojë fort për kreun. Avantazhi i Tepelenës është fakti se lojtarët luajnë së bashku prej disa sezonesh.

Kjo ka bërë që të njohin lojën e njëri-tjetrit dhe të jenë një ekip solid. Kur të nisin edhe seancat stërvitore do të qartësohen edhe më shumë gjërat për sa i përket ekipit të sezonit të ri. Pritet që të krijohet një ekip më i fortë se në kampionatin e kaluar. /Roland Suli/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"