Kategoria e Dytë/ Garë e ashpër në Jug, Maliqi thyen Butrintin dhe nis ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2017 | 17:21

Kategoria e Dytë/ Garë e ashpër në Jug, Maliqi thyen Butrintin dhe nis ngjitjen

Maliqi u rikthye te fitorja në javën e 7-të të kampionatit, duke mposhtur Butrintin në shtëpi me rezultatin 2-1. Djemtë e drejtuar nga trajneri Malësija e dominuan sfidën duke prodhuar një numër të konsiderueshëm rastesh, por portieri i Butrintit, Çallari, ishte në ditën e tij më të mirë, duke evituar 3 gola të sigurt.

Maliqi

Edhe në sfidën e djeshme, maliqarët vuajtën mungesën e tifozëve, të cilët do të rikthehen në takimin e ardhshëm nda Domosdovës, për shkak të dënimit me 4 ndeshje nga sezoni i kaluar. Ndeshja nis e bukur dhe me ritëm. Ishin miqtë nga Saranda që krijojnë rastin e parë të rrezikshëm në minutën e 4-t, por portieri Mara tregon reflekset duke larguar rrezikun. Pas përpjekjeve të shumta, Maliqi gjeti golin e avantazhit.

Maliqi-Butrinti

Në minutën e 35-të, Make harkon një top në zonë nga goditja e dënimit, ku gjen Visard Takon, i cili me kokë e dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 57-të Trëndafili gjen me një kros nga 40 metra shtatlartin Ametlli që, me një goditje të kalibruar me kokë, e dërgoi topin në trekëndësh dhe 2-0. Butrinti provon ta rihapë takimin në minutën e 59-të.

Tako pengon në zonë Sinon dhe për gjyqtarin Gjeçi kemi të bëjmë me 11-metërsh. Kola merr përsipër ekzekutimin e penalltisë. Gjuajtja e tij e parë neutralizohet nga portieri Mara, por topi mbeti sërish në zonë dhe me tentativën e dytë, mesfushori sarandjot e dërgoi në rrjetë. Deri në fund nuk ka më ndryshim. /ILDI MEROLLI/

PËRMETI-ALBPETROLI 0-3

Albpetroli bën tripletë, Përmeti sulmon miqtë

Albpetroli ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertën e Përmetit ndaj skuadrës vendëse. Një sfidë e dominuar plotësisht nga miqtë që kanë shënuar tre gola brenda 36 minutash. Ndërsa, miqtë e kanë pasur të pamundur të rezistojnë ndaj patosarakëve, me të cilët kishin diferenca.

Permeti-Albpetroli

NDESHJA – Sfida nis me gol. Në minutën e 8-të është Kapo që finalizon saktë një aksion të bukur të miqve dhe kalon Albpetrolin në avantazh. Vendësit mundohen të reagojnë dhe kërkojnë barazimin, por e kanë të vështirë të rrezikojnë portën mike. Patosarakët shënojnë golin e dytë në minutën e 20-të me anë të Hyskos dhe duket se do të marrin një fitore të lehtë. Gjithçka mbyllet në të 36-ën, ku është Hatia që realizon golin e tretë.

Vendësit janë inekzistentë dhe e kanë shumë të vështirë të rrezikojnë. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat. Në të dytën, loja është më e fortë me vendësit që bëjnë ndërhyrje të forta duke mos i mbajtur dot nervat. Miqtë ruajnë qetësinë dhe administrojnë më së miri avantazhin e tre golave.

Nuk ka më gola dhe sfida mbyllet 3- 0 për Albpetrolin. Në fund, vendësit që nuk e pritën mirë humbjen, sulmojnë miqtë duke krijuar tension të panevojshëm në fushë. Megjithatë, kjo situatë shuhet shpejt me ndërhyrjen e forcave të rendit. Albpetroli është një prej skuadrave pretendente për ngjitjen në këtë sezon të Kategorisë së Dytë. /ROLAND SULI/

GRAMOZI-DELVINA 1-2

Delvina nuk di të ndalet, Gramozi në krizë

Kolonjarët, edhe pse luajtën një lojë sulmuese, kanë dalë të humbur nga takimi ndaj delvinjotëve. Një humbje që vendësit nuk e kishin parashikuar. Megjithatë, Delvina e këtij sezoni ka treguar në çdo ndeshje se do të jetë një kockë e fortë për të gjitha ekipet. Mehmeti dhe Dhimitris kanë shënuar dy golat për delvinjotët, ndërsa golin e nderit për kolonjarët e realizoi mbrojtësi Potka. Një 3-pikësh që e ngjit skuadrën e Delvinës në vendin e 3-të me pikë të barabarta me Orikumin e vendit të dytë. Delvinjotët e këtij sezoni duket se do të luftojnë deri në fund për t’u renditur në vendet e para.

Gramozi-Delvina

NDESHJA – 20 minutat e para kanë qenë tepër të mira për kolonjarët, të cilët krijuan 4-5 raste për shënim, por ishin miqtë në minutën e 26-të me veteranin Mehmeti në të vetmin kundërsulm që kanë arritur të shënojnë. Kur pritej që në pjesën e dytë kolonjarët të barazonin rezultatin, janë përsëri miqtë nga Delvina që në minutën e 48-të me një gjuajtje nga 35 metra, Dhimitris shënon golin e dytë për miqtë.

Kolonjarët e shpërngulin lojën të gjithë në portën e Delvinës, por golin e gjetën në minutën e 88-të me mbrojtësin Potka nga një goditje dënimi. Me këtë humbje kolonjarët vështirësojnë së tepërmi edhe këtë sezon, arritjen e objektivit që është mbijetesa në Kategorinë e Dytë. Pritet që në javët në vazhdim, Gramozi të bëjë ndryshime. /KOÇO LILO/

MEMALIAJ-SKRAPARI 0-2

Skrapari dërgon Memaliajn në fund

Skrapari surprizon Memaliajn duke e mundur 2-0 në fushën e vet. Një rezultat që i dërgon memaljotët në vendin e fundit. Miqtë u mbrojtën mirë dhe e mbyllën pjesën e parë në barazim.

Memaliaj -Skrapari

Në pjesën e dytë, Tafa dhe Zylyftari shënuan dy golat që u dhanë fitoren miqve. Ka edhe momente nervozizmi mes mesfushorit të miqve Harka dhe shefit të klubit të Memaliajt, David Kaçori. Memaliaj është skuadra më e dobët e 10 viteve të fundit. /ROLAND SULI/

DEVOLLI-KËLCYRA 1-0

Devolli në formë, thyen Këlcyrën

Ekipi i Devollit fitoi pas një takimi të fortë e të bukur dhe pas shumë rasteve të humbura ndaj Këlcyrës. Një sfidë shumë e fortë ku të dy ekipet japin maksimumin për të marrë 3-pikëshin.

Devolli - Kelcyra 1-0

Si rezultat i këtij presioni gjatë të gjithë lojës, është Kambo që hyn në zonë, driblon një mbrojtës, i cili e prek topin me dorë dhe gjyqtari akordon 11- metërsh që e kthen në gol Fifo pas shënimit nga pika e bardhë. Miqtë nuk arrijnë të barazojnë. /THANAS ÇEVA/ 

TEPELENA-DOMOSDOVA 2-1

Tepelena thyen Domosdovën

Tepelena ka fituar lehtësisht në ndeshjen e djeshme ndaj Domosdovës. Vendësit kanë bërë një paraqitje të mirë duke shënuar dy gola në fillim të çdo pjese.

Tepelena - Domosdova

Fillimisht, është i riu Beqiri që realizon që në minutën e 6-të. Miqtë mundohen të reagojnë, por e kanë të vështirë. Me fillimin e së dytës është Canaj që dyfishon rezultatin. Përrenjsakët ngushtojnë diferencën në minutën e 75-të me Vreton, por vetëm kaq.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"