“Kategoria e Dytë fushë e panjohur, për fitore me Memaliajn”, Resuli: Flamurtari ka një qëllim, kthimin në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 10:10

“Kategoria e Dytë fushë e panjohur, për fitore me Memaliajn”, Resuli: Flamurtari ka një qëllim, kthimin në elitë

Flamurtari fillon sot nga Memaliaj rrugëtimin për rikthimin e shpejtë në Superiore. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Dritan Resuli flet për objektivin madhor. Tekniku vlonjat thotë se rikthimi i Flamurtarit ku e ka vendin është misioni i të gjithëve. Kreu i pankinës vlonjate thotë se nuk duhet nënvlerësuar asnjë rival.

Flamurtari Resuli

Resuli, a është i përgatitur Flamurtari për nisjen e kampionatit?

Ekipi është përgatitur për ta nisur mbarë kampionatin. Mendoj se skuadra tashmë është kolauduar. Kemi pasur kohën e mjaftueshme për të bërë mirë. Kështu që mendoj se jemi gati për të mundësuar nisjen sa më mirë të këtij sezoni të ri.

Cilët janë objektivat e këtij sezoni?

Në fakt e fillojmë sezonin me objektiva të qartë. Dihet që objektivi kryesor është që ta kthejmë Flamurtarin aty ku e ka vendin dhe që i takon që të jetë, pra, në Kategorinë Superiore. Jam shumë i bindur se këtë gjë do ta realizojmë në një kohë sa më të shpejtë. E kemi detyrim që ta çojmë skuadrën në vendin që meriton. Në këto kushte do të angazhohemi të gjithë që ta realizojmë këtë objektiv.

Janë kundërshtarë të panjohur për ju në këtë kategori inferiore?

Nuk i njohim kundërshtarët dhe kjo është shumë e drejtë. Duke pasur parasysh potencialin e lojtarëve mendojmë se do ta arrijmë objektivin që kemi. Do të jemi shumë të fokusuar për të bërë maksimumin tonë. Normalisht që as Memaliajn nuk e njohim. Nuk ka asnjë lloj nënvlerësimi për asnjë kundërshtar. Respekt për këdo, por ne jemi Flamurtari dhe futemi në fushë për maksimumin.

Kategoria e Dytë ka fusha të vështira, i druheni këtij fakti?

Patjetër që janë fusha të vështira. Po ashtu edhe kushtet infrastrukturore janë të papërshtatshme. Por, nuk kemi çfarë të bëjmë, do të përshtatemi me to.

Cili është komenti juaj për afrimet e kësaj merkatoje?

Normalisht që vlerat e këtyre lojtarëve dihen. Koha ka qenë e mjaftueshme që t’i bëjmë rregullimet dhe kolaudimet përkatëse. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe peshë që ta lehtësojnë punën.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"