KATEGORIA E DYTË/ Biznesmeni Caka tregon arsyet e rënies së Skraparit; Gramozi konfirmon trajnerin për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2021 | 17:07

KATEGORIA E DYTË/ Biznesmeni Caka tregon arsyet e rënies së Skraparit; Gramozi konfirmon trajnerin për sezonin e ri

LAJME SHKURT NGA “KATEGORIA E DYTË”:

kategoria_dyte_cover

SKRAPARI

Hysen Caka, biznesmeni që investoi mbi një dekadë për futbollin e Skraparit, tregon arsyet e rënies nga kategoria. “Më vjen keq për rënien e skuadrës. Kjo tregon mungesën e plotë të mbështetjes nga pushteti vendor, ndaj unë u shkëputa. Në kushtet e një mosinteresimi të thellë të pushtetit vendor, nuk kam përse të investoj miliona kur këtë investim e ka mbuluar mosmirënjohja. Rënia e Skraparit është një përgjegjësi e plotë e strukturave aktuale të pushtetit vendor”, u shpreh ish-presidenti Caka. /EDI SPAHIU/

GRAMSHI

Skuadra e Gramshit përbëhet nga lojtarë vendës, që do të thotë se edhe sezonin e ri ata do të jenë baza e ekipit. 90% e ekipit përbëhet nga futbollistë gramshakë, ndërsa pjesa tjetër janë nga rrethet, të cilët nuk dihet me saktësi nëse do të mbeten pjesë e ekipit.

Synimet e Gramshit priten të jenë të larta në sezonin e ri, ku pritet të kryhet një merkato cilësore. Burime brenda klubit thonë se, i vetmi objektiv për sezonin e ri do të jetë ngjitja në Kategorinë e Parë. /MARIGLEN MIRAKA/

GRAMOZI

Trajneri Ilir Qirjako është konfirmuar në krye të Gramozit edhe për sezonin e ri. “Skuadra është stërvitur edhe gjatë këtij muaji, ndërsa zyrtarisht përgatitjet në fund të korrikut.

Ka filluar puna dhe po bisedohet për afrimin e disa lojtarëve cilësorë për ta përforcuar ekipin. Kategoria e Dytë nuk është e lehtë, ku në sezonin e ri do të jetë edhe më e fortë, pasi ekipe me emër do t’i shtohen kësaj kategorie dhe sidomos në Grupin e Jugut”, tha trajneri Qirjako. /KOÇO LILO/

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"