Kategoria e Dytë/ Akuza nga Sopoti: Po favorizohet Partizani B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2020 | 16:38

Kategoria e Dytë/ Akuza nga Sopoti: Po favorizohet Partizani B

Sopoti u pozicionua në vend të 4-t në Grupin e Veriut dhe me formulën e re të kampionatit ka shansin të kapë Kategorinë e Parë me ndeshjet e “play off”-it. Librazhdasit, sipas kësaj formule, luajnë së pari me Partizanin B në transfertë, por drejtuesit e klubit kanë qenë të shqetësuar këto ditë për faktin se është shtyrë disa herë data e ndeshjes.

sopoti kukesi

Në fillim ata u lajmëruan se do të luanin të premten, më pas të shtunën dhe në fund u vendos për të dielën. Te Sopoti gjykojnë se është favorizuar Partizani B me datën e ndeshjes, duke i dhënë kohë këtij ekipi që të ketë mundësinë e aktivizimit të lojtarëve të ekipit të parë. Partizani luajti dje ndaj Vllaznisë dhe deri të dielën, kur ekipi B i të kuqve do të përballet me Sopotin, plotësohen 48 orë, siç kërkon rregullorja.

Megjithatë, librazhdasit nuk demoralizohen. Gjatë javës është folur për një shpërblim në rast suksesi, por asnjë nga drejtuesit e klubit nuk është takuar me lojtarët. Trajneri Gentian Stojku ka vazhduar rregullisht stërvitjen me lojtarët dhe u ka lënë atyre në dorë fatet e sezonit, duke u kërkuar të sakrifikojnë për tifozët dhe që djersa e gjithë kampionatit të mos shkojë kot. Deri tani ky është i vetmi motivim që lojtarët kanë përpara kësaj sfide kaq të rëndësishme, pa harruar që ekipi është i plotë dhe në formë të mirë sportive.

Ledion Qoshku – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"