Kategoria e Dytë, administratori Kristidhi: Ja çfarë synon Luftëtari në sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 21:36

Kategoria e Dytë, administratori Kristidhi: Ja çfarë synon Luftëtari në sezonin e ri

Me objektiv parësor, atë të pozicionimit mes pesë më të mirave në Kategorinë e Dytë, pse jo dhe në dy-tri vendet e para të Grupit të Jugut, AF Luftëtari s’humbet kohë për të dhënë më të mirën e mundshme në kompeticionin e ri që pritet të nisë më 1 tetor.

Kristidhi

Administratori i klubit gjirokastrit, Fotis Kristidhi, për “Panorama Sport” shpalosi objektivin madhor të AF Luftëtarit, si dhe bën të ditur edhe axhendën e ditëve përgatitore të lidhura me kalendarin e ndeshjeve miqësore në kuadër të sezonit të ri futbollistik 2022-2023.

“Ekipi ditë pas dite është drejt konsolidimit të plotë të grupit. Lëvizjet në hyrje dhe në dalje të merkatos kanë qenë të shumta. Me punën sistematike në këto tri javë të fazës përgatitore, ekipi për ditë e më shumë është duke shkuar drejt formacionit ideal. Por, kjo nuk do të thotë që merkatoja është në limitet e saj. Rëndësi ka fakti se AF Luftëtari i ka objektivat e qartë për sezonin e ri.

Në kuadër të përgatitjeve sezonale në fundjavë, do të përballemi me Delvinën në fushën e saj. Më pas, në mesjavën e ardhshme do të jemi mysafirë në Patos, aty ku dhe do të përballemi me skuadrën vendëse, Albpetrolin”, u shpreh Kristidhi për “Panorama Sport”. Gjirokastritët mbeten të hapur për përforcime, ndonëse ndihet se në këtë periudhë gjetja e lojtarëve cilësorë është shumë e vështirë, pasi pjesa dërrmuese e aktiviteteve kanë nisur.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"