“Kastriotit i kemi marrë 4 pikë, ndërsa Korabit 6”, serbi Gjorgjeviç: Besëlidhja bën diferencën me rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2019 | 20:19

“Kastriotit i kemi marrë 4 pikë, ndërsa Korabit 6”, serbi Gjorgjeviç: Besëlidhja bën diferencën me rivalët

Besëlidhja mori fitoren e radhës të dielën në shtëpi, por këtë herë ishte një sukses me vlera të mëdha, sepse u arrit ndaj një rivali direkt për ngjitjen në Superiore, siç është Kastrioti. Me ketë fitore lezhjanët e ngushtuan diferencën në tri pikë me krutanët. Besëlidhja pushoi dje për t’u grumbulluar sot e për të nisur stërvitjen në kuadër të transfertës ndaj Egnatias.Beselidhja Kastrioti 1-0

GJORGJEVIÇ – Fitorja ndaj Kastriotit erdhi në fundin e ndeshjes, pas më shumë se 80 minutash dramatike. Një ndihmesë të madhe në atë fitore dha serbi Milan Gjorgjeviç, i cili u ndal në mënyrë të parregullt nga portieri mik që u ndëshkua me karton të kuq dhe e la Kastriotin me 10 vetë për gati gjysmë ore.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori 33-vjeçar i skuadrës lezhjane shprehet: “Fitorja ndaj Kastriotit e rihapi garën për kreun në grupin tonë, sepse tani e kemi ngushtuar diferencën në vetëm 3 pikë. Ia kemi dalë që ndaj rivalëve direkt për ngjitjen në elitë të marrim maksimumin e pikëve. Ndaj Korabit kemi marrë 6 pikë, kurse ndaj Kastriotit 4 pikë, pra nuk kemi humbur ndaj tyre dhe kjo është tepër pozitive edhe për anën psikologjike. Tani jemi më të karikuar në rrugën drejt elitës së futbollit shqiptar.

Për momentin kur u shkëputa i vetëm drejt portës kundërshtare mund të them se goli ishte i sigurt, ndaj portieri bëri atë ndërhyrje, duke më mbajtur dhe madje duke më goditur në kavilje. Nuk ka dyshim që kartoni i kuq për të ishte shumë i drejtë. Edhe për rastin e golit jam i kënaqur që dhashë atë kros që Hajdari e devijoi në rrjetë. Loja nuk shkoi në pritshmëritë që ka Besëlidhja dhe pjesën e parë ishim në prag të disfatës, por falë mbrojtjes nuk pësuam gol.serbi i beselidhjes

Pjesën e dytë gjithçka ndryshoi në favorin tonë dhe arritëm te fitorja. Tani po mendojmë për ndeshjen e radhës që e kemi në transfertë ndaj Egnatias, ku patjetër duam të fitojmë, pasi mundësitë i kemi reale”. Lezhjanët nuk kanë qenë në panik edhe kur ishin larg vendit të parë, ndërsa tani që janë të dytët kanë edhe më shumë besim se rokada me Kastriotin është vetëm çështje kohe.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"