Kastrioti zyrtarizon trajnerin e ri, “ylli” i skuadrës drejt Turqisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2019 | 11:28

Kastrioti zyrtarizon trajnerin e ri, “ylli” i skuadrës drejt Turqisë

Pas disa ditësh pritjeje, më në fund Kastrioti ka zyrtarizuar Ramadan Ndreun si trajnerin e ri të skuadrës. Ai pason në këtë post Bledar Devollin, i larguar ditën e fundit të kampionatit. Ndreu rikthehet në stolin e Kastriotit pas eksperiencave me ekipe si Kamza, Laçi dhe së fundmi Kukësi.

ndreu

Tekniku 51-vjeçar ka qenë më parë trajner i Kastriotit në Kategorinë e Parë dhe në Superiore, ndërsa tani vjen me një mision të rëndësishëm, që është rikthimi në elitën e futbollit shqiptar. Klubi krutan ka bërë dje zyrtarizimin e Ndreut në rolin e trajnerit, kurse sot pritet të bëhet prezantimi, ku pritet të ketë edhe një deklaratë të Ndreut për mediat.

BARDHI – Kastrioti është shumë pranë transferimit të një lojtari në Ligën e Parë turke. Krutanët do të shesin Patrik Bardhin te Eskisehirspori. Kastrioti pritet të përfitojë 100 mijë euro nga shitja e sulmuesit të krahut, i cili është ndër lojtarët më të kërkuar në merkato aktualisht.

patrik bardhi

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se të dyja palët janë shumë pranë akordit dhe se po diskutohen detajet e fundit për t’i vënë “vulën” transferimit. Po diskutohet për një përqindje të kartonit që do të zotërojnë krutanët. Kjo lëvizje vjen kur të gjithë mendonin se Patrik Bardhi do të bashkohej me Partizanin ose Kukësin, që ishin në garë për 21-vjeçarin. Shifra e ofruar nga turqit i ka tunduar krutanët.

Bujar Balliu – Panoramasport.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"