Kastrioti shkon me shumë mungesa në Laç, largohet para kohe një futbollist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 12:50

Kastrioti shkon me shumë mungesa në Laç, largohet para kohe një futbollist

Kastrioti vulosi rënien nga Superiorja në ndeshjen e kaluar ndaj Partizanit, ndërsa sot në Laç do të luajë për herë të fundit në elitë për këtë kampionat, pasi në sezonin e ri do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë. Skuadra krutane pati një sezon me shumë të papritura, por edhe ulje-ngritje që vështirësuan luftën për mbijetesë.

kastrioti

Problematika me stadiumin dhe lidhja shpirtërore e skuadrës me tifozët krutanë, që janë detyruar të shkojnë sa në Kamzë dhe sa në Elbasan, sigurisht që ka ndikuar jo pak. Disa nga lojtarët e afruar në janar nuk kanë përmbushur pritshmëritë. Gjithsesi, sot skuadra zhvillon ndeshjen e fundit në Laç dhe mungesat do të jenë të shumta, duke nisur nga Edon Hasani për shkak kartonësh, mbrojtësi Millosh Stojanoviç, që është larguar nga skuadra, duke bërë dje edhe një përshëndetje në rrjetet sociale.

Gjithashtu edhe Adolf Selmani, që ka disa javë që mungon nuk pritet të jetë i gatshëm, ndërsa Armando Rami është larguar prej disa ditësh. Trajneri Çela pritet të hedhë në fushë një formacion miks, me disa nga titullarët e zakonshëm dhe lojtarë që kanë pasur pak hapësira këtë periudhë. Në këtë takim i interesuar direkt për rezultatin është Laçi, ndërsa për krutanët është thjesht një ndeshje formale. Në këto 35 javë kampionat, Kastrioti ka pasur një mesatare prej 1 pikë për ndeshje, por kjo nuk mjaftoi për të qenë ende në lojë për mbijetesën.

KASTRIOTI: Malaj; Kodra, Karakaçi, Bejzade, Zogaj; Onanuga, Mehmeti, Kamara (Arapi); Greca, Rexhinaldo (Mihana), S.Selmani;
Trajner: Emiljano Çela 

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"