Kastrioti, shkodrani Karakaçi pret të rinovojë: Do të flas me presidentin, më pas vendos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 22:16

Kastrioti, shkodrani Karakaçi pret të rinovojë: Do të flas me presidentin, më pas vendos

Kastrioti do të nisë përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2020- 2021 ditën e hënë. Krutanët gjatë këtyre javëve kanë pasur kontakte me disa lojtarë, por deri më tani klubi nuk ka bërë asnjë afrim zyrtar. E vetmja lëvizje ka qenë në dalje, ku tri ditë më parë sulmuesi Taulant Marku mbylli bashkëpunimin me krutanët pas katër vitesh pjesë e tyre.kastrioti

Kjo nuk do të jetë lëvizja e vetme, pasi janë disa lojtarë që presin ofertën e klubit për të rinovuar. Një prej tyre është edhe Abaz Karakaçi, të cilit i ka përfunduar kontrata me Kastriotin, por kjo nuk do të thotë që ai është i larguar nga krutanët. Mesfushori shkodran aktualisht ka disa oferta, por i ka lënë në pritje, pasi fillimisht pret të takohet me drejtuesit e Kastriotit, të cilët i kanë ofruar edhe zgjatjen e kontratës.

Ky takim pritet që të ndodhë në ditët në vijim, nga ku palët do të diskutojnë me detaje kontratën e re, e cila do të ketë disa ndryshime nga ajo e Kategorisë së Parë. Mbetet të shihet nëse do të gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjatjen e kësaj kontrate. Karakaçi, gjatë sezonit të shkuar ka qenë një lojtar i rëndësishëm për krutanët.

Ai konfirmon për “Panorama Sport” bisedimet me klubin për marrëveshjen e re. “Më ka përfunduar kontrata me Kastriotin, por do të kem një takim me presidentin, ku dhe do të diskutojmë nëse do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim. Oferta kam pasur edhe nga dy skuadra të tjera në Superiore, por fillimisht do të flas me Kastriotin dhe më pas do të vendos”, sqaroi mesfushori shkodran.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"