Kastrioti pret goditjen “big” në merkato, flet kapiteni: Të “kopjojmë” sezonin e kaluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2022 | 23:55

Kastrioti pret goditjen “big” në merkato, flet kapiteni: Të “kopjojmë” sezonin e kaluar

E hëna ka rikthyer në stërvitje intensive Kastriotin, që vijon fazën përgatitore në Maqedoninë e Veriut. Trajneri Emiljano Çela e ka të gjithë kontingjentin në formë, por është me sytë nga drejtuesit për ndonjë përforcim të fundit në merkato, pikërisht në repartin e sulmit.

kastrioti

Çela u ka parashtruar drejtuesve se cilat janë pikat që kanë nevojë për përforcime dhe pritet që gjatë këtyre ditëve të bëhet edhe ndonjë afrim “big”. Deri më tani janë afruar lojtarë si Zajsar Arapi, Kevin Aliaj, Millosh Stojanoviç, Franc Marinaj, Livio Malaj, Xhuljo Mehmeti, Brajan Selmani dhe Fabio Hasa. Kastrioti do të rikthehet të premten në Shqipëri, në prag të ndeshjes së javës së parë ndaj Bylisit në Ballsh.

MESFUSHORI – Kapiteni i krutanëve, Abaz Karakaçi, flet nga Maqedonia për “Panorama Sport”, në lidhje me përgatitjet e deritanishme. “Stërvitja po ecën shumë mirë. Grupi po harmonizohet sa më shumë nga dita në ditë dhe shpresoj të na eci mbarë. Edhe afrimet e reja janë përshtatur goxha mirë me pjesën tjetër të ekipit. Do të qëndrojmë këtu në Strugë deri të premten dhe më pas do të rikthehemi në Shqipëri për të nisur përgatitjet për javën e parë të kampionatit.

Nuk duam që të fillojmë të bëjmë deklarata që tani për atë që na pret në ndeshjen me Bylisin. E rëndësishme është të zhvillojmë një kampionat sa më te mirë, ashtu siç kemi bërë gjysmën e dytë të sezonit të shkuar”, deklaroi mesfushori shkodran, i cili pas largimit të Sokol Nezirit, do të mbajë këtë sezon shiritin e kapitenit te skuadra krutane.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"