Kastrioti për fitore me Erzenin, trajneri i shijakasve: Po mendojmë për sezonin tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2020 | 14:16

Kastrioti për fitore me Erzenin, trajneri i shijakasve: Po mendojmë për sezonin tjetër

 Kastrioti, i ngjitur në Superiore prej disa javësh, e mbyll kampionatin me ndeshjen me Erzenin, por kuptohet që vëmendja është te finalja me Apoloninë. Pikërisht për këtë ndeshje krutanët janë përgatitur gjatë kësaj kohe, ndërsa në kampionat trajneri Ramazan Ndreu ka luajtur me një formacion miks, duke u dhënë hapësirë atyre që kanë luajtur më pak.

kastrioti-iliria

Edhe ndeshja e sotme me Erzenin do t’i shërbejë Kastriotit të mbajë formën optimale për finalen e Kategorisë së Parë. Krutanët do të shpallen sot zyrtarisht kampionë të Grupit A, duke marrë edhe trofeun që e kanë merituar plotësisht me kampionatin që kanë bërë.

Faza e tretë ishte mjaft e dobët për Erzenin, që kishte shanse reale për vendin e dytë, por tashmë atë e ka siguruar Besëlidhja. Shijakasit janë paraqitur dobët dhe këto ndeshjet e fundit më shumë i kanë shërbyer skuadrës së sezonit të ardhshëm. Këtë e pranon për “Panorama Sport” edhe trajneri Dorian Bubeqi, i cili para ndeshjes me Kastriotin është shprehur: “Është java e fundit e kampionatit dhe ne do të luajmë futboll sa më cilësor.

Është ndeshje pa presion dhe dua që djemtë të cilët do të aktivizohen të tregojnë vlerat e tyre ndaj Kastriotit, që është ngjitur në Superiore. Nuk ka pse ta fshehim se ne po mendojmë dhe punojmë që tani për sezonin e ardhshëm. Ndeshjen e fundit do ta respektojmë, siç e thashë, duke u munduar të luajmë futboll të bukur, pasi rezultati nuk ka rëndësi për ne”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"