Kastrioti nuk e lë të ikë, mesfushori Çutra pranë rinovimit: Kemi rënë dakord për gjithçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2018 | 22:23

Kastrioti nuk e lë të ikë, mesfushori Çutra pranë rinovimit: Kemi rënë dakord për gjithçka

Në sezonin që lamë pas, Xhynejt Çutra ishte njëri ndër mesfushorët më të mirë të Kategorisë së Parë. Golat e bukur të shënuar prej tij bënë xhiron e rrjetit, aq sa ofertat nuk i munguan jo vetëm nga vendi, por edhe nga Izraeli, ku u kërkua në merkaton e janarit. Drejtuesit në atë kohë nuk e pranuan që t’iu ikte një mesfushor i tillë nga “duart” dhe favori i tyre ishte kontrata që kishin. Tashmë që marrëveshja ka përfunduar dhe klubi ia ka ofruar sërish një rinovim lojtarit, palët janë në bisedime.

xhynejt cutra

Lojtari zbulon për “Panorama Sport” se e shqyrton me detaje propozimin e ri të bërë nga drejtuesit e Kastriotit dhe gjasat janë që të shkojnë te firma. “Që pas përfundimit të finales me Tiranën, po shijojmë pushimet dhe njëkohësisht i kemi kushtuar edhe rëndësi mbajtjes së trupit në formë me stërvitje individuale për çdo ditë. Pasi mbyllëm një sezon të suksesshëm në Kategorinë e Parë, dalëngadalë po vjen koha që të bëhemi gati për misionin ‘Superiore’.

Normalisht, dihet që diferencat janë të mëdha mes dy kampionateve dhe për ne nuk do të jetë e lehtë, por ruajtja e boshtit të sezonit të shkuar, afrimi i lojtarëve cilësorë na bën që të besojmë që nuk do të jemi kalimtar në elitë”, tha fillimisht mesfushori. I pyetur për zgjedhjen e tij për të vazhduar karrierën, 29-vjeçari deklaroi se pavarësisht ofertave, Kastrioti është zgjedhja e tij e parë. “Më 31 maj, ashtu si pjesës dërrmuese të skuadrës, edhe mua më përfundonte kontrata. Po negociojmë me drejtuesit për kontratën e re dhe parimisht kemi rënë dakord për të gjitha pikat. Unë jam prej tre vitesh pjesë e kësaj skuadre dhe e kam shumë të vështirë të largohem prej këtu, pavarësisht ofertave”, përfundoi Xhynejt Çutra.

Liridon Pasha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"