“Kastrioti nuk e diskuton mbijetesën”, Rezi: Koha të luajmë futboll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2020 | 21:47

“Kastrioti nuk e diskuton mbijetesën”, Rezi: Koha të luajmë futboll

Ermir Rezi është njëri ndër lojtarët e afruar në ditët e fundit të merkatos për Kastriotin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Rezi flet për situatën aktuale në skuadrën krutane, bojkotin e kampionatit, por edhe për grupin dhe synimet e Kastriotit në sezonin e ri.

rezi

Rezi, jeni afrimi i fundit i Kastriotit në merkaton e verës, sa e vështirë ka qenë përshtatja me grupin?

Është e vërtetë që u afrova në fundin e merkatos, megjithatë më duket sikur kam vite këtu. Ka qenë një përshtatje e shpejtë pasi kemi të bëjmë me një skuadër të cilën e njoh, plus që jo për mburrje, por kemi një grup për t’u pasur zili, pasi janë me të vërtetë djem mjaft të mirë.

Çfarë ndikimi ka pasur te ju si lojtar bojkoti i kampionatit?

Bojkoti ka qenë diçka që se kishim përjetuar më parë si futbollistë. Të bësh tre muaj stërvitje dhe të mos luash është diçka shumë e vështirë. Çdo lojtar pret kampionatin dhe ndeshjet zyrtare, pasi për këtë stërvitemi. Kjo periudhë ka qenë shumë e vështirë, ndaj shpresoj që të gjendet gjuha e përbashkët me qeverinë dhe futbolli të fillojë.

A i ka shërbyer skuadrës kjo periudhë pauze për t’u konsoliduar?

Ne si skuadër, duke qenë një ekip që ka pasur shumë ndryshime, na ka shërbyer kjo periudhë për t’u konsoliduar dhe për ne lojtarët e afruar që të përshtatemi sa më mirë me grupin. Besoj që tashmë jemi gati për fillimin e kampionatit.

Shumë miqësore, a i kanë shërbyer skuadrës këto teste të shpeshta, të cilat kanë sjellë edhe disa dëmtime?

Miqësoret na kanë shërbyer shumë, sepse po njohim lojën e njëri-tjetrit dhe po përshtatemi sa më mirë me idetë e trajnerit. Normalisht dëmtime do ketë, por kryesorja është që këto ndeshje na kanë shërbyer shumë dhe tashmë kemi një grup të konsoliduar dhe gati për kampionat.

Me grupin që ka Kastrioti, a besoni te arritja e objektivave?

Për mendimin tim, Kastrioti, me organikën që ka nuk do e diskutojë mbijetesën, pasi ka lojtarë shumë cilësor në përbërje, që janë dhe me eksperiencë, por edhe me djem të rinj e të talentuar. Kjo vjen për meritë të presidencës dhe trajnerit që kanë arritur të ndërthurin dhe gërshetojnë grupin me të tillë lojtarë.

Personalisht u rikthyet në Superiore pas një sezoni te Erzeni, çfarë objektivi i keni vënë vetes këtë vit?

Më vjen mirë që këtë sezon u riktheva në Superiore dhe shpresoj që të bëj paraqitje sa më të mira. Normalisht, dua që në këtë kampionat të kontribuoj edhe me ndonjë gol, në mënyrë që të ndihmoj ekipin në realizimin e objektivit.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"