Kastrioti nis javën anti-Skënderbeu, trajneri Plori do edhe tre afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2018 | 18:19

Kastrioti nis javën anti-Skënderbeu, trajneri Plori do edhe tre afrime

Kastrioti e ka nisur me analizë javën stërvitore anti-Skënderbe. Tekniku i krutanëve Elvis Plori ka analizuar ndeshjen ndaj Luftëtarit, në të cilën krutanët arritën të merrnin tri pikë në startin e kampionatit. Gjithashtu, tekniku dha edhe detyrat për përballjen e radhës ndaj Skënderbeut, ku edhe ka kërkuar nga lojtarët të ndreqin disa “gabime” të vogla që u panë në premierën e kampionatit.

kastrioti

Më pas ka vijuar seanca stërvitore normale me ushtrime të ndryshme me top dhe jo vetëm. Drejtuesit e Kastriotit nuk e kanë mbyllur ende merkaton, pasi janë drejt mbylljes së kontratave me tre lojtarë të tjerë që pritet t’i bashkohen skuadrës në ditët në vijim. Një portier, një mesfushor dhe një sulmues janë tre lojtarët që do t’i bashkohen skuadrës deri në mbyllje të merkatos. Për momentin, vetëm emri i Kehindes është bërë publik, ndërsa dy emrat e tjerë vazhdojnë të mbeten mister.

Por, gjithsesi krutanët janë duke punuar në të dyja aspektet, si në fushë ashtu edhe jashtë saj për t’u përgatitur sa më mirë në këtë sezon të Superiores. Ata u rikthyen të luanin në elitë dhe kanë si objektiv që të mos jenë kalimtarë. Nisja pozitive ndaj Luftëtarit e tregoi këtë gjë, por ndeshja e dytë është shumë më e vështirë. Kundërshtar këtë herë është Skënderbeu dhe ata e dinë shumë mirë që duhet të punojnë shumë për të marrë rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Euforia do të shërbejë për të motivuar ekipin.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"