Kastrioti nis “gjuetinë” te Kamza, synohet edhe një sulmues maqedonas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2019 | 20:52

Kastrioti nis “gjuetinë” te Kamza, synohet edhe një sulmues maqedonas

Kastrioti do të luajë sezonin e ardhshëm në Grupin A të Kategorisë së Parë dhe objektivi është shpallur që tani: kërkohet rikthimi sa më i shpejtë në elitë. Krutanët llogariten si favoritë, ndaj në klub po mendojnë që të ruajnë pjesën dërrmuese të organikës që shkëlqeu edhe elitë.

kastrioti

Pasi u zyrtarizua trajneri Ramazan Ndreu dhe u konfirmua pjesa tjetër e stafit, drejtuesit kanë filluar që të mendojnë edhe për afrimet. Dashur pa dashur mbeten disi të “varur” prej ekipeve të elitës, pasi lojtarët që kanë cilësi preferojnë që të luajnë në një nivel më lart. E megjithatë, nuk është se krutanët nuk po lëvizin.

Ata kanë filluar kontaktet me disa elementë që i shohin të denjë për të zëvendësuar vendet e lëna bosh nga të larguarit. Edhe pse me emrat po tregohen tejet të rezervuar, burimet e gazetës “Panorama Sport” mësojnë se në listën e dëshirave është një sulmues maqedonas. Vëmendja është e përqendruar te Kategoria Superiore dhe kryesisht te lojtarët që luajtën te Kamza e përjashtuar. Në fokus mbetet edhe një portier, i cili gjithashtu ka luajtur në elitë. Kujtojmë që nga Kruja kanë ikur 6 lojtarë dhe logjikisht po kaq përforcime priten. Por ky numër mund të jetë edhe më i madh, gjithnjë nëse shitet ndonjë nga ata që janë vënë në “lupë”.

Patrik Bardhi dhe Julian Shehu kanë pasur disa oferta, por drejtuesit po presin sa t’u vijë më e mira, e cila do arkëtojë edhe të ardhura. Lukman Husein gjithashtu ka pasur disa kërkesa, por mbetet të shihet si do të veprojnë drejtuesit me menaxhimin e shitjeve. Sa i takon stërvitjes, është planifikuar që ajo të nisë më 15 korrik. Dhe pas disa javësh përgatitje në Krujë, mund të zhvendoset për dy javë edhe jashtë vendit.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"