Kastrioti në bisedime me ish-trajnerin e Kukësit, krutanët mendojnë për shitjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2019 | 13:19

Kastrioti në bisedime me ish-trajnerin e Kukësit, krutanët mendojnë për shitjet

Skuadra e Kastriotit vi jon të jetë pushim, ndërsa stafi teknik po punon për gjetjen e trajnerit të ri që do të drejtojë krutanët në misionin e rikthimit në Superiore. Gazeta publikoi në numrin e djeshëm lajmin se krutanët po negociojnë me disa trajnerë për pankinën, ku mes tyre ishin edhe dy emra të njohur si ai i Samuel Nikajt apo edhe Ramazan Ndreut.

ramazan ndreu

Ky i fundit duket dukshëm më i favorizuar për të marrë drejtimin e skuadrës krutane, pasi nga ajo që ka mundur të sigurojë gazeta, palët kanë zhvilluar një takim paraprak dhe gjasat janë që në atë të radhës të konfirmohet gjithçka. Megjithatë, takimi mes tyre nuk do të thotë zyrtarizim, por një dëshirë mes palëve për të bashkëpunuar mes tyre dhe ditët në vijim do ta tregojnë nëse të dyja palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar, apo do të kemi një emër tjetër në këtë post.

LËVIZJET

Ndoshta po ta krahasosh me ekipet e tjera të Kategorisë së Parë, Kastrioti është e para skuadër që ka kryer një numër të konsiderueshëm largimesh. Tre janë lojtarët që janë larguar nga skuadra pasi iu ka përfunduar periudha e huazimit ndërsa tre të tjerë janë larguar për përfundim kontrate, duke e çuar numrin e të larguarve deri më tani në gjashtë. Krahas tyre, ka gjasa që ky numër të rritet në ditët në vijim, pasi klubi ka planifikuar që të shesë disa lojtarë gjatë merkatos së verës, shitje këto që do ta ndihmonin skuadrën për të mbushur arkat dhe për të bërë një merkato cilësore në mënyrë që të sigurohet rikthimi sa më i shpejtë në Superiore, objektiv që krutanët e kanë deklaruar ende pa u mbyllur sezoni i shkuar.

E ARDHMJA

Kastrioti bëri një paraqitje shumë të mirë në sezonin që u mbyll duke rivalizuar deri në javën e fundit për t’i shpëtuar rënies nga kategoria. Por, Kastrioti nuk arriti që t’i shpëtonte rënies dhe në kampionatin e ardhshëm do të luajë sërish në Kategorinë e Parë. Drejtuesit e klubit kanë bërë të ditur se do të krijojnë një ekip cilësor edhe për sezonin e ardhshëm me objektivin që krutanët të rikthehen sërish në Superiore. Pritet që pas disa ditësh të zyrtarizohet emri i trajnerit të ri të skuadrës dhe më pas të nisë edhe afrimi i futbollistëve. Gjasat janë që ekipi të grumbullohet në korrik dhe të nisë përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Deri tani gjithçka është në kuadër të planeve paraprake, ndërsa më vonë do të mësohet më shumë në lidhje me të ardhmen e Kastriotit. Gjithashtu, ekipi do të rikthehet që t’i luajë ndeshjet në stadiumin e Krujës.

BUJAR BALLIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"