Kastrioti, Mziu do pikë me Kukësin: Të dy ekipet në emergjencë, por duam fitoren me çdo kusht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 16:41

Kastrioti, Mziu do pikë me Kukësin: Të dy ekipet në emergjencë, por duam fitoren me çdo kusht

Kastrioti u është rikthyer dje seancave stërvitore për ndeshjen e fundjavës ndaj Kukësit. Ashtu si zakonisht, seancat stërvitore janë zhvilluar në Krujë në orar të përafërt me atë të ndeshjes. Mesfushori Sokol Mziu, në një prononcim për gazetën, tregon se skuadra ka punuar shumë gjatë këtyre ditëve për të qenë sa më në formë për takimin e radhës me Kukësin, teksa vë theksin se rruga e vetme është vetëm fitorja.

sokol mziu

“Po vijojmë normalisht seancat stërvitore për ndeshjen e radhës, e cila është mjaft e rëndësishme për ne. Periudha e pushimit erdhi në momentin e duhur, pasi na dha kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe për të ndrequr gabimet që kemi bërë në të shkuarën, ku shpresoj që në këtë ndeshje të mos përsëriten më. Një tjetër anë pozitive e kësaj pauze ishte edhe rikuperimi i të dëmtuarve, të cilët gradualisht po riaftësohen.

Sa i takon ndeshjes, Kukësi është njëra ndër skuadrat më të mira në vend dhe meriton respektin që i takon. E shoh një përballje të fortë, pasi si ne që luftojmë për mbijetesë, por edhe ata që kanë synime të tjera, kemi qenë larg pritshmërive në ndeshjet e fundit, ndaj them që do të jetë një ndeshje e fortë dhe e bukur. Në të dy krahët do të luftohet për të marrë maksimumin në këtë ndeshje.

Mirëpo, ne, duke qenë në fushën tonë dhe duke pasur nevojën emergjente për pikë, nuk pajtohemi me asnjë rezultat tjetër, përveç fitores në këtë sfidë. Vetëm tri pikët do të na çlironin psikologjikisht dhe do të na mbanin afër me rivalët e tjerë. Shpresoj që të jemi në një ditë të mirë dhe të kemi pak fat në këtë ndeshje të rëndësishme”, deklaroi Mziu për gazetën.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"