Kastrioti me të rinj, Flamurtari e përmbys

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2014 | 17:03

Kastrioti me të rinj, Flamurtari e përmbys

Kastrioti-Flamurtari 0-0, moment acarimi mes lojtareveKASTRIOTI-FLAMURTARI   1-3
GOLAT: Manuka 9′ / Abilaliaj 33′ (11-m), 54′, Liçaj 62′
KASTRIOTI: Çali, Doku, A.Caca, F.Caca (Rustami 55′), Neziri, Çela, Daja, Karapici, Manuka, Tepshi (Goga 46′), Malindi (Kuka 46′); (në dispozicion: Doku, E.Kuka, Xhaferri, Goga, Xhafa, Turdiu. Trajner: Nevil Dede
FLAMURTARI: Xhelilaj, Sakaj, Kuqi, Beqiri, Begaj, Liçaj, Telushi, Lena, Lika (Qejvani 70′), Zeqiri (A.Shehaj 57′), Abilaliaj (L.Shehaj 69′); (në dispozicion: Hysi, Qejvani, Nelaj, L.Shehaj, A.Shehaj, Bisha)
TRAJNER: ERNEST GJOKA
KARTONË TË VERDHË: Manuka 77′ / Liçaj 77′
VËZHGUES: Fatmir Tare
DELEGAT: Elton Lita
GJYQTARET: L.Alla, D.Koreshi, E.Pashaj (Lushnjë)

MINUTAT
5′ Malindi gjuan fort, por topi përfundon mbi shtyllë.
6′ Zeqiri pas një krosi të Liçajt, gjuan fort, por pa sukses.
9′ Malindi manovron në krahun e djathtë, fut një top në zonë për Manukën, i cili nuk fal, duke i nxjerrë të tijtë në avantazh.
19′ Telushi gjuan nga goditja e dënimit, topi përplaset në tokë, por portieri i krutanëve është i vëmendshëm, duke mos lejuar prekjen e rrjetës.
21′ Manuka bëhet përsëri protagonist, gjuan fort, por pret portieri Xhelilaj.
33′ Liçaj pengohet në zonë në mënyrë të parregullt nga kapiteni Caca. Gjyqtari Alla akordon një penallti, ekzekutimin e të cilit e merr përsipër Abilaliaj, duke e shndërruar në gol. Dhe 1-1.
38′ Zeqiri me finte për Likën, por portieri i ri i krutanëve Çali përsëri është shumë i vëmendshëm, duke e larguar topin.
40′ Vlonjatët e mbyllin në sulm, kur Zeqiri kalon me kokë mbi shtyllë një kros të marrë nga Telushi.
48′ Zeqiri asist Liçajt, i cili gjuan prerazi, por pret Çali.
51′ Kapiteni Zeqiri hyn në zonë, gjuan, por topi përfundon mbi shtyllë.
54′ Ngulmon në zonë Gilman Lika, pason për Abilaliajn, i cili dyfishon rezultatin. Dhe 1-2!
62′ Lika kroson përsëri saktë për Liçajn, i cili gjuan me kokë, duke e çuar drejt e në rrjetë. Dhe 1-3!
90′ Manuka bën përpjekjen e fundit për të shkurtuar diferencën, por topi i tij përfundon jashtë kuadratit.
91′ Begaj gjuan fort, por topi përfundon mbi shtyllë.

Kastrioti e ka mbyllur me humbje aventurën e tij në Kategorinë Superiore dhe pas 5 sezonesh rikthehet në të Parën. Krutanët kanë zbritur në sfidën e djeshme me lojtarët e U-19, duke ia bërë kështu edhe më të lehtë fitoren Flamurtarit, që siguroi dhe mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Dopieta e Abilaliajt dhe goli i Liçajt kanë përmbysur atë të Manukës të shënuar në minutën e 9-të të takimit. E, në një kohë që krutanët nuk kishin më shpresa për mbijetesë, ky takim i ka shërbyer Dedes për të parë më nga afër lojtarët e rinj, që mund t’i afrojë në ekipin e parë sezonin e ardhshëm futbollistik.
Pjesa e parë Krutanët e nisin lojën me sulm, ku Malindi ka një rast për të shënuar, por topi përfundon mbi shtyllë. Në minutën e 9-të, sërish Malindi manovron në krahun e djathtë, duke futur një top në zonë për Manukën, i cili i nxjerr të tijtë në avantazh. Ekipi i Dedes luan mirë në minutat e para të ndeshjes, por nuk i entuziazmojnë tifozët e paktë në stadium, të cilët prisnin më shumë nga skuadra kohë më parë. Do të kundërpërgjigjen vlonjatët në minutën e 19-të, me anë të Telushit, i cili gjuan nga goditja e dënimit, topi përplaset në tokë, por portieri i krutanëve është i vëmendshëm, duke mos lejuar prekjen e rrjetës. Në minutën e 21-të, sërish Manuka bëhet protagonist, teksa gjuan fort, por pret Xhelilaj. Në minutën e 33-të gjithçka do të barazohet në fushë, Liçaj pengohet në zonë nga kapiteni Caca dhe gjyqtari akordon një penallti. Ekzekutimin nga pika e bardhë e merr përsipër Abilaliaj, i cili e shndërron në gol. Vlonjatët do ta mbyllin me sulm këtë fraksion, kur Zeqiri kalon me kokë mbi shtyllë një kros të marrë nga Telushi. Skuadrat do të shkonin në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-1.
Pjesa e dytë Në fraksionin e dytë, trajneri i Kastriotit, Nevil Dede, bën dy ndryshime në formacion, duke futur në fushë Gogën dhe Kukën. Mirëpo, janë vlonjatët, të cilët japin sinjalin e parë që nuk janë dakord me barazimin. Në minutën e 54-t, Abilaliaj pas një ngulmimi në zonë të Likës, zgjidh gjithçka, duke e çuar skuadrën e tij në avantazh në 1-2. Pak minuta më vonë ai do të zëvendësohet, i dëmtuar, por pa problem për ndeshjen e kupës. Në minutën e 62-të, Gilman Lika jep një kros për Liçajn, i cili shënon edhe ai emrin e tij në listën e golashënuesve, duke i çuar shifrat në 1-3. Kastrioti duket se tashmë nuk është më në fushë dhe lojtarët e rinj, pavarësisht përpjekjeve të tyre, duket se e kanë të vështirë të prishin kontrollin e Flamurtarit. Manuka përpiqet t’i shkundë të tijtë, kur i jep një pas Çelës, por topi largohet nga mbrojtësit. Trajneri Gjoka bën ndryshimet e tij, duke futur në fushë dy vëllezërit Lorenc dhe Ardit Shehaj. Në minutën e 90-të, Manuka bën përpjekjen e fundit për të shkurtuar rezultatin, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Të njëjtën gjë bën edhe Begaj në minutën e parë shtesë, por rezultati nuk ndryshon më. Me këtë trepikësh vlonjatët “vulosën” qëndrimin në Kategorinë Superiore, ndërsa janë të qetë para finales së Kupës së Shqipërisë.

Gjoka: Fitorja na jep qetësi para finales
Ernest Gjoka, trajneri i Flamurtarit, pas përfundimit të ndeshjes, në konferencën për shtyp u shpreh se mbijetesën nuk duhet ta linin me 90 minutat. Megjithatë, sipas tij, skuadra pas kësaj fitoreje është e qetë, çka do t’i japë mundësinë ta përgatisë më mirë ndeshjen e kupës. “Me këtë ndeshje e siguruam matematikisht mbijetesën, por unë them se duhet ta kishim siguruar javë më parë atë. Duhet të kemi parasysh edhe faktin që na janë hequr dhe tri pikë. Ka qenë një kampionat i vështirë dhe shumë i paparashikueshëm. Megjithatë, tashmë jemi të qetë dhe ky rezultat na jep më shumë mundësi që ta përgatisim më mirë përballjen për finalen e Kupës së Shqipërisë”, – përfundoi Gjoka.

“Flas me drejtuesit, pastaj vendos për të ardhmen”
Nevil Dede, numri një i pankinës së Kastriotit, pas përfundimit të takimit u shpreh se ekipi i tij e kishte të vështirë motivimin, duke qenë se kishin rënë në të Parën. “Kastrioti tashmë ka rënë në Kategorinë e Parë dhe në këto kushte është e vështirë të motivohet skuadra. Megjithatë, në takimin e sotëm (dje) kishim futur në formacion shumë lojtarë të U-19, të cilët mua më pëlqyen se si luajtën, për çka duhet të falënderoj trajnerin Shkëlzen Rustami, i cili punon me këtë moshë. Ndërkaq, sa i përket perspektivës, nëse unë do të vazhdoj të jem apo jo pjesë e Kastriotit, më parë do të ulem me presidentin dhe do ta vendosim një gjë të tillë”, – ka përfunduar trajneri i Kastriotit, Nevil Dede.
MURAT ARUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"