Kastrioti kuron detajet e fundit, drejtori sportiv “sfidon” lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 23:19

Kastrioti kuron detajet e fundit, drejtori sportiv “sfidon” lojtarët

Pasi arritën kualifikimin në çerekfinale të Kupës duke eliminuar Dinamon, stafi drejtues dhe lojtarët e Kastriotit janë fokusuar tërësisht për ndeshjen e nesërme në orën 13:00 ndaj Erzenit. Gjatë këtyre ditëve, nën drejtimin e trajnerit Mema, skuadra ka vijuar normalisht përgatitjet për këtë betejë jetike.

kastrioti

Çdo rezultat tjetër përveç fitores, do të kishte pasoja të konsiderueshme në renditje dhe rrugëtimin e krutanëve në këtë sezon, pasi në javët e fundit po notojnë shumë poshtë në tabelën e pikëve. Ditën e djeshme trajneri Ardian Mema ka pasur gjithë grupin e titullarëve në dispozicion, ndërkohë që në fushë i është bashkuar skuadrës edhe një “lojtar” i veçantë.

DREJTORI – Bëhet fjalë për drejtorin teknik, Gazmend Vogli. Ai ka vendosur të heqë për pak orë kostumin e drejtorit dhe të vishet me stil sportiv. Vogli ka bërë plot 30 xhiro rreth fushës së stadiumit “Redi Maloku”, duke përshkruar një distancë prej plot 30 kilometrash. Më pas ai është bashkuar me trajnerin Mema dhe së bashku kanë drejtuar seancën stërvitore.

Zbritja e tij në fushë ka qenë një mesazh i qartë për të motivuar lojtarët në prag të një ndeshjeje shumë të rëndësishme për fatet e sezonit. Një veprim të ngjashëm Vogli e bëri edhe përpara ndeshjes me Partizanin dhe në fund rezultoi të ishte një veprim që dha fryte, sepse sfida përfundoi në barazim 1-1. Ndërkohë, mbetet të shihet nëse kjo metodë do të funksionojë në prag të kësaj përballjeje.

SITUATA – Përveç këtij detaji, stërvitja e djeshme është kryer në kushte tërësisht normale. Trajneri Mema i ka pasur të gjithë lojtarët në dispozicion, madje edhe Martin Prenkoçeviçin, i cili është i dëmtuar. Ai është stërvitur i veçuar në këtë sfidë, teksa prej javësh vijon periudhën e rikuperimit. Ndërkohë, ra në sy fakti se Rexhinaldo, i afruar në merkaton e janarit, nuk është bashkuar ende me ekipin në stërvitje. Sulmuesi nga Mozambiku pritet ta shtyjë akoma më shumë debutimin e tij, pasi nuk është në gjendje optimale fizike.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"