Kastrioti kërkon kthesën, në të kundërt priten penalizime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 15:09

Kastrioti kërkon kthesën, në të kundërt priten penalizime

Skuadra krutane po përjeton një situatë jo të kënaqshme në kampionat, ku pas startit mbresëlënës që fituan 1-0 në Gjirokastër, Kastrioti është ndëshkuar në tri sfidat pasuese. Ekipi i drejtuar nga trajneri Elvis Plori ka nisur ditën e djeshme javën përgatitore për ndeshjen me Laçin. Seanca e djeshme ka nisur me një analizë të gjatë të humbjes me Kamzën.

kastrioti

Për rreth 60 minuta, stafi teknik ka zhvilluar analizë të detajuar, me dyer të mbyllura, me lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen e së shtunës ndaj Kamzës. Nga burime të gazetës pranë ekipit, mësohet se është diskutuar me detaje paraqitja e dobët që Kastrioti bëri në ndeshjen e fundit. Përpos evidentimit të gabimeve të bëra nga lojtarët në këtë takim, është kërkuar kthesa në ndeshjen e radhës, pasi në të kundërt do të ketë penalitete.

kastrioti

Në ndeshjen e radhës pritet që të ndryshohet diçka, qoftë në rreshtim apo edhe në lojtarët që do të zbresin në fushë nga minuta e parë. Fatmirësisht, gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur dëmtime dhe trajneri Plori do të ketë në dispozicion 25 lojtarë për të ideuar formacionin anti-Laç. Me interes pritet debutimi i tre kamerunasve, të cilët debutuan në Kupë ndaj Korabit.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"