Kastrioti ka “armën” plus, Nica e di si ndalet Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2018 | 14:10

Kastrioti ka “armën” plus, Nica e di si ndalet Laçi

Pavarësisht reshjeve të shiut, Kastrioti ka vijuar normalisht përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Laçit. Krutanët po e përgatisin me mjaft kujdes këtë sfidë. Trajneri Stavri Nica, duke pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion, është munduar të minimizojë gabimet e bëra në ndeshjet e mëparshme.

Kastrioti

Ecuria e deritanishme e krutanëve nuk ka qenë sipas pritshmërive të drejtuesve, por fitorja e fundit ndaj Kamzës ka dhënë sinjale shpresë dhe besim se Kastrioti mund t’ia dalë të mbijetojë këtë sezon në Kategorinë Superiore. Përballja me Laçin do të jetë një sfidë mjaft e vështirë, pasi kurbinasit kanë zhvilluar ndeshje mjaft të mira, duke u renditur ndër ekipet e kreut, mirëpo krutanët me në krye trajnerin “ekspert” Stavri Nica do të luftojnë për të treguar se nuk janë më ajo skuadra e para disa javëve.

Në skuadër ka optimizëm dhe besim se Kastrioti mund të jetë një skuadër që do të luftojë si e barabartë kundër çdo kundërshtari. Tekniku Nica, duke qenë një ish i Laçit për shumë vite, gjatë këtyre ditëve ka implementuar te lojtarët skema të veçanta që i përshtaten këtij kundërshtari.

kastrioti

Në fakt, drejtuesve dhe futbollistëve të Kastriotit u ka mbetur peng barazimi me kurbinasit në fazën e parë të kampionatit në stadiumin “Redi Maloku”.

Një barazim që erdhi në minutën e fundit, ku kurbinasit shënuan me Fangajn. Tanimë, edhe pse në transfertë, krutanët do të udhëtojnë drejt Laçit për të marrë maksimumin, pavarësisht vështirësive. “Arma” plus është pikërisht Nica, që e njeh mirë mentalitetin e kurbinasve dhe di se si mund të ndalen.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"