Kastrioti i sigurt për ngjitjen në Superiore, mendon që tani lojtarët për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2017 | 22:00

Kastrioti i sigurt për ngjitjen në Superiore, mendon që tani lojtarët për elitën

Kastrioti i ka nisur me analizë përgatitjet për ndeshjen e fundit të vitit, atë ndaj Vllaznisë B. Në fakt është zhvilluar një analizë e gjatë për humbjen me Egnatian dhe tashmë ndaj shkodranëve nuk pranohet asnjë rezultat tjetër, përveçse fitores bindëse me lojë dhe rezultat. Kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u zhvilluar në këtë vit, krutanët janë kampionët e dimrit në Grupin A.

kastrioti

Në një prononcim për gazetën, numri dy i skuadrës, Gëzim Rama, flet për humbjen ndaj Egnatias, ndeshjen e radhës, si edhe merkaton. “Shkaqet janë të ndryshme. Ndeshja ishte me një nga ekipet ndjekëse me të afërta dhe e vetmja skuadër që na ka vënë në vështirësi edhe në fazën e parë. Ndeshja u zhvillua e fortë dhe e luftuar nga të dyja ekipet. Ne nuk arritëm të shprehnim lojën e duhur për faktin që terreni nuk na e lejoi një gjë të tillë. Gjithsesi, në pjesën e parë, përveç golit, ekipi nuk rrezikoi asgjë tjetër, por u mundua të rikuperojë rezultatin, pasi rastet nuk munguan.

Megjithatë, ekipi i Egnatias e meritoi fitoren, pasi e kërkoi më shumë se ne dhe dua t’i falënderoj për organizimin dhe mikpritjen. Sa i takon ndeshjes së radhës, na vë përballë faktit që duhet ta fitojmë patjetër për të mos u dhënë më terren të afrohen skuadrat e tjera”, deklaroi fillimisht Rama. Më tej, ai foli edhe për merkaton: “Pas ndeshjes me Vllazninë B do fillojmë bisedimet me disa lojtarë të Superiores që mendojmë të jenë pjesë edhe për vitin e ardhshëm. Për lojtarët Kosovarë janë emra që na pëlqejnë, por ende nuk kemi nisur kontaktet”, përfundoi Rama.

Liridon Pasha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"