Kastrioti gjen rehat, Nica stabilizon formacionin
Pas miqësores me Ilirinë, stafi teknik i Kastriotit e ka lënë skuadrën pushim dje dhe sot, ndërsa nga nesër do të nisin përgatitjet për ndeshjen e fundjavës me Laçin. Forma dhe gjendja psikologjike e ekipit është e mirë dhe duket se tashmë skuadra ka gjetur edhe qetësinë pas fitores së fundit ndaj Kamzës. Një tjetër anë pozitive mund të quhet edhe gjetja më në fund e një formacioni stabël te krutanët, pasi duket se Stavri Nica e ka zgjedhur tashmë 11- shen bazë.
Ndryshimet e vetme që mund të ndodhin do të vijnë prej ndonjë dëmtimi apo pezullimi për shkak kartonësh. Megjithatë, gjasat janë që titullarët të jetë ata të ndeshjes me Kamzën. Edhe të premten, në miqësoren me Ilirinë, tekniku 64-vjeçar e nisi me të njëjtin formacion, duke rreshtuar katërshen e mbrojtjes, Husein, Shehi, Çela dhe Stijepoviç, e cila as ndaj Kamzës dhe as në miqësoren ndaj FushëKrujës nuk pësoi, duke i zbatuar me përpikmëri detyrat e saj.
Edhe Domgjoni duket se ka gjetur një pozicion të ri, atë para mbrojtjes. Pozicion që rezultoi mjaft efikas për skuadrën, pasi mbrojtësi shtatlartë ishte një ndër më aktivët në përballjen me Kamzën, duke mos lejuar depërtimin e sulmit kundërshtar.
Mesfusha, me Shehun, Ymerajn dhe Henrin, duket një repart që do të jetë në gjendje të përballet si e barabartë me çdo kundërshtar. Ndërsa sulmi më në fund po shënon, me Roxher, i cili krahas aftësive të tij individuale, po ndihmohet shumë edhe nga Bardhi, të cilët krijojnë një Kastriot të frikshëm, nëse do të vazhdojnë me të njëjtën paraqitje si në tri ndeshjet e fundit.
Bujar Balliu
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"