Kastrioti do të ruajë epitetin, “mace e zezë” për Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 11:47

Kastrioti do të ruajë epitetin, “mace e zezë” për Laçin

Kastrioti ka vijuar të përgatitet normalisht për sfidën që i rezervon java e gjashtë, teksa do të presë ekipin e Laçit në stadiumin e Kamzës. Atmosfera në skuadër ka qenë e mirë, sidomos pas fitores së fundit ku krutanët arritën që të merrnin fitoren e parë në kampionat dhe të linin vendin e fundit.

KASTRIOTI

Për ndeshjen ndaj kurbinasve, trajnerit Ramazan Ndreu i rikthehet Eneid Kodra, i cili mungoi ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut për shkak të kartonit të kuq të marrë në Rrogozhinë. Gjithashtu, me grupin gjatë kësaj jave është stërvitur edhe Huseini, i cili mbetet të shihet nëse do të jetë i gatshëm deri të shtunën.

Sakaq, edhe nigeriani tjetër Henri Okebugu, që u bashkua me skuadrën disa ditë më parë është stërvitur mirë dhe pritet të jetë gjithashtu i gatshëm për ndeshjen e radhës.

DUELET E FUNDIT- Përballjet mes dy skuadrave janë konsideruar shpesh si derbi për vetë afërsinë gjeografike që kanë dy qytetet me njëratjetrën. Kastrioti, sidomos dy sezonet e fundit ka qenë një “mace e zezë” për Laçin, pasi ka arritur që ta frenojë, por edhe ta mundë në disa raste.

Në 8 përballje të zhvilluara mes dy skuadrave, krutanët kanë arritur që ta frenojnë Laçin në plot 5 ndeshje, madje, sezonin e shkuar e kanë mundur edhe një ndeshje në Kamzë. Kurbinasit në dy sezonet e fundit kanë fituar vetëm 2 sfida nga 8 përballjet e zhvilluara mes dy skuadrave.

VLERA – Me ndryshimet e bëra në merkaton verore, vlera e të dy skuadrave ka pësuar ndryshime. Kastriotit i ka rënë ndjeshëm vlera. Sipas “transfermarkt” klubi krutan kushton 2.3 milionë dhe lojtarët më të shtrenjtë janë Bedri Greca dhe Marin Mudrazija me nga 200 mijë euro.

Ndryshim ka pasur edhe Laçi. Klubi kurbinas kushton 3.85 milionë euro. Lushkja dhe Shehu janë dy lojtarët më të shtrenjtë me nga 350 mijë euro.

ISH-ët- Nga Prodani, te Ajazi, Greca dhe portieri Sali janë lojtarët që kanë qenë në të shkuarën pjesë e Laçit. Krahas tyre te Kastrioti statusin e ish-it të Laçit e ka edhe trajneri Ndreu që ka mbajtur pozicionin e trajnerit dhe drejtorit teknik te kurbinasit. Nga krahu tjetër, vetëm Juljan Shehu ka qenë më parë pjesë e Kastriotit.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"